ZRRE shtyn afatin e daljes në tregun e lirë, për konsumatorët e kyçur në nivelin e tensionit 10kV dhe 35kV

ZRRE shtyn afatin e daljes në tregun e lirë, për konsumatorët e kyçur në nivelin e tensionit 10kV dhe 35kV

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka marrë vendim për shtyrjen e afatit, të daljes në tregun e lirë, të konsumatorëve të kyçur në nivelin e tensionit 10kV dhe 35kV.

Një vendim i tillë është marrë të enjten në seancën e katërt të këtij bordi, i cili ka ardhur si rezultat i kërkesave nga konsumatorët, odat si dhe nga Komisioni Parlamentar për Zhvillimin Ekonomik.

“ZRRE ka marrë vendim të amandamentojë Udhëzuesin për Liberalizimin e Tregut, duke zgjatur afatin e kalimit të konsumatorëve të kyçur në nivelin e tensionit 10kV dhe 35kV edhe për një vit (deri me 31 mars 2020 për konsumatorët e kyçur në nivelin e tensionit 35 kV dhe deri me 31 Mars 2021 për konsumatorët e kyçur në nivelin e tensionit 10 kV )”.

“Ky vendim është marrë pas kërkesave të shumta të konsumatorëve dhe odave që përfaqësojnë interesat e tyre si dhe me rekomandim të Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal”, thuhet në njoftimin e dërguar medieve, transmeton Koha.net.

Sipas njoftimit, gjatë kësaj seance, Bordi ka aprovuar përshtatjet e rregullta vjetore për të Hyrat e Lejuara Maksimale (HLM) për vitin tarifor 2019 për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes dhe Furnizuesin me Shërbim Universal.

Gjatë seancës është trajtuar edhe çështja e Hidrocentraleve përfshirë edhe atë të Lumbardhit II, ku për këtë të fundit është kërkuar që të ndërpritet operimi deri në përmbushjen e kushteve të licencimit.

“Bordi po ashtu ka trajtuar edhe çështjen e projekteve të shoqërisë Kelkos Energy Sh.P.K., në lidhje me projektet e Hidrocentraleve (HC) Belaja, Deçani dhe Lumbardhi II, për çka ka vendosur që për HC Belaja dhe HC Deçan të jepet një afat prej 90 ditë për kompletimin e dokumentacionit me lejet përkatëse ambientale. Përderisa për HC Lumbardhi II ka kërkuar që të ndërpritet operimi dhe KOSTT të shkyç nga rrjeti këtë HC deri në përmbushjen e kushteve të licencimit”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0