Vitia: Të gjitha vaksinat që kemi në dispozicion janë të sigurta

Vitia: Të gjitha vaksinat që kemi në dispozicion janë të sigurta

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se të gjitha vaksinat që i ka Kosova në dispozion janë të sigurta.

Ai ka thënë se Kosova është i vetmi vend në rajon i cili ka në stoqet e veta vetëm vaksina të aprovuara nga Agjencia Evropiane e Barnave.

Vitia ka kritikuar disa deputetë për siç ka thënë ai që po e abuzojnë pozitën dhe po ndikojnë që qytetarët të hezitojnë për vaksinim.

“Është e pandershme dhe është abuzim me pozitën që kanë disa nga kolegët tanë me qëndrimet karshi vaksinimit dhe vaksinave. Kosova është i vetmi vend në rajon i cili ekskluzivisht ka në stoqet e veta vaksina të aprovuara nga EMA. Të gjitha vaksinat janë të sigurta. Tani që variant Delta është i pranishëm edhe në Kosovë dhe rreziku i shfaqjes së një vale të re është i mundshëm, ishte dashur që në këtë qasje të kemi një qëndrim të përbashkët dhe të jemi të bashkuar që në mënyrë sa më efikase të vaksinohen të gjithë qytetarët. Çdo thirrje tjetër është e pandershme, çdo hezitim që po mundohen ta bëjnë është i pandershëm”, ka shtuar ai.

Përndryshe, Vitia ka thënë se asnjë nga personat e vaksinuar deri tani kundër COVID-19 nuk ka pasur ndonjë efekt serioz nga vaksina.

“Nga të gjitha vaksinimet që janë mbi 230 mijë, akoma nuk kemi asnjë efekt anësorë serioz. Edhe Ministria e Shëndetësisë edhe Qeveria edhe ligjet që janë të aplikueshme nuk na lejojnë dhe nuk do të na lejojnë që t’i rrezikojmë qytetarët me vaksina. Nëse nuk doni të na ndihmoni, së paku mos u mundoni të na bëni dëme sepse këto dëme nuk ja bëni as ministrisë e as qeverisë, por jeni duke i dëmtuar qytetarët”, ka shtuar ai.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0