Vetëvendosje e çon në Kushtetuese Presidentin Thaçi për zgjedhjet

Vetëvendosje e çon në Kushtetuese Presidentin Thaçi për zgjedhjet

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatë Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të presidentit të vendit, Hashim Thaçit për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut.

Në një njoftim nga Vetëvendosje thonë se qytetarët po vazhdojnë që të privohen nga e drejta për të zgjedhur përfaqësuesin e tyre me anë të zgjedhjeve, derisa, kanë përmendur edhe organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në komunat me shumicë serbe.

“Gjithkush ka të drejtë të marrë pjesë në qeverisjen e vendit të vet, drejtpërdrejt ose me anë të përfaqësuesve të zgjedhur lirisht. Këto të drejta kushtetuese të qytetarëve mundësohen përmes shpalljes dhe organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të drejtpërdrejta. Askush nuk ka të drejtë e autorizime, e aq më pak Presidenti që arbitrarisht dhe jashtë kompetencave të tij të pamundësojë ushtrimin dhe përmbushjen e këtyre të drejtave përmes shtyrjes pa afat të mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar të komunës. Përkundrazi, përgjegjësia kushtetuese dhe ligjore e Presidentit, është caktimi i datës së zgjedhjeve në afatet e përcaktuara me ligj. Pas dorëheqjes së Kryetarit të Komunës zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga Presidenti i Kosovës. Zgjedhjet e parakohshme shpallen jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas dorëheqjes, të cilat nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë (45) ditë pas shpërbërjes”, thonë nga LVV’ja.

Në partinë e Albin Kurtit thonë se presidenti ka privuar qytetarët nga e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

“Me vendimet e Presidentit për të shtyrë pa afat të caktuar mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Besianës, por së fundi edhe për zgjedhjen e Kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Presidenti ka privuar qytetarët nga e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, siç përcaktohet me nenin 45 të Kushtetutës. Vendimi i Presidentit për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve në Besianë dhe Mitrovicë është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës, si dhe në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të integruara në Kushtetutë si dhe me praktikat e mira dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale”, thuhet në njoftim./GazetaExpress/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0