Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se për shkak të nevojave të FSK-së dhe situatës aktuale ndërkombëtare, është themeluar Fondi i Sigurisë.
Kurti në një postim në Facebook tha se ky vendim u mor pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë. Me financat e mbledhura, Qeveria synon t’i përdor sipas strategjisë së sigurisë shtetërore të Kosovës, e cila pritet të miratohet nga Ekzekutivi.
Postimi i Kurtit në Facebook:
Themeluam Fondin e Sigurisë
Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e “Fondit të Sigurisë”.
Mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria e Republikës se Kosovës. Funksionimi i këtij fondi do të rregullohet me akte përkatëse procedurale dhe do të përdoret ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar nga qeveria.
Në përputhje me legjislacionin në fuqi do të zbatohen procedurat për prejardhjen e mjeteve financiare me qëllim të ruajtjes së integritetit të fondit dhe qëllimit të tij.
Ftohen qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët tanë në diasporë por edhe donatorë të tjerë të kontribuojnë për sigurinë shtetërore.
COMMENTS