Sqarimi i “Lakeside Gardens”: Nuk e kemi në plan ndotjen e Liqenit të Badocit

Sqarimi i “Lakeside Gardens”: Nuk e kemi në plan ndotjen e Liqenit të Badocit

Pas raportimit në media se një lagje po ndërtohet buzë Liqenit të Badovcit kanë reaguar investitorët, duke thënë se nuk kanë në planë ndotjen e liqenit, por nderimin e një lagjeje të cilën e lejojnë ligjet në fuqi.

Sqarimi i plotë i kompanisë investive:

Është shumë pozitive nisma dhe komentet e shumë qytetarëve të Prishtinës, që janë shqetësuar për kualitetin e ujit nga Liqeni i Badovcit, pas publikimit se është planifikuar një lagje banimi pranë këtij liqeni, lagjja “Lakeside Gardens” si projekt i 4M Group dhe KAWA Group.

Mirëpo, përgjegjësia morale nuk prek në pikën që ne të projektojmë dhe mendojmë diçka që do të shkatërronte jetën e gjysmë milioni banorësh, për një lagje. Ndjejmë përgjegjësi profesionale dhe morale që të ju sqarojmë situatën dhe projektin në këtë aspekt. Gjithçka është më e thellë se një postim njoftues dhe askujt nuk i shërben dezinformata për helmim të ujit.

Lagjja “Lakeside Gardens” ka vite që po projektohet dhe mendohet për çdo detaj. Ajo do të ndërtohet në një pronë private e cila është afër me Liqenin e Badovcit. Si rrjedhojë, neve na është dashur të zbatojmë të gjitha rregullat dhe normat ligjore të Kosovës për të mbajtur ndërgjegjen dhe profesionalizmin tonë lartë, sikur është largësia mbi normat e caktuara në pikën më të afërt me bregun e liqenit.

Duke e parë se është përhapur një shqetësim që do të helmohet uji i liqenit nga ujërat e zeza të kësaj lagje në të ardhmen, ne po ju tregojmë se si do të funksionojë sistemi i kanalizimit.

Ky sistem do të jetë i ndarë në sistemin e ujërave të zeza dhe ujërave atmosferikë, pra dy sisteme të ndara. Kjo zgjedhje është bërë pasi do të ndërtohet impianti për pastrimin e ujërave të zeza. Impianti do të jetë i ndërtuar në fund të lagjes dhe do të pastrojë ujërat e zeza, duke i përdorur më pas në mirëmbajtje të lagjes, që mblidhet në rezervuar. Pra, këtu nuk ka asgjë shqetësuese.

Nuk mund të projektojmë një lagje, me të cilën ne synojmë çmime ndërkombëtare dhe që e njëjta e bën jetën e dikujt më të zorshme.

Kurse, ujërat atmosferik përpos mbledhësve që janë normal, do të kenë edhe një përparësi. Rrugicat në këtë lagje do të jenë të shtruara me kalldrem. Si rrjedhojë, uji i reshjeve do të veprojë sikur vepron në natyrë. Ujërat tjerë atmosferikë që mblidhen nga rruga, por edhe nga shtëpitë, do të shkojnë drejt liqenit me sistem të veçantë. Ujërat që mblidhen nga kulmet e shtëpive do të shkojnë në rezervuarin për mirëmbajtje të lagjes. Madje, në planet tona është decidivisht e cekur që mirëmbajtësit e lagjes do të mirëmbajnë edhe brengun e liqenit, pa asnjë detyrim, por vullnetarisht.

Në anën tjetër, kemi fatin që nëpërmes lagjes kalon një përrockë mali. Ajo do të lihet të rrjedhë hapur, sikur ka rrjedhë gjithmonë prej kur ekziston. Madje, këtë e shohim si përparësi.

Ne, KAWA Group dhe 4M, në asnjë formë nuk përkrahim ndotjen mjedisore. Madje, projektet e 4M kanë frymë gjelbrimi gjithmonë. Kurse, të kujtojmë se KAËA Group ka pastruar më 15 shtator 2018 deponinë më të madhe brenda kryeqytetit, si kontribut vullnetar.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka lëshuar vendim që mund të ndërtohet dhe që e kushtëzon Komunën e Prishtinës të lëshojë Kushtet Ndërtimore, që tashmë i ka lëshuar.

Gjithçka është ligjore, duke iu referuar nenit 48, të Ligjit për Ujërat e Kosovës, që thotë në pikën 1.3 “Ndalohet ndërtimi i objekteve tjera të cilat nuk shërbejnë për mbrojtjen nga përmbytjet, në largësi së paku tridhjetë (30) metra, nga vija e plotave të larta të ujërrjedhave dhe akumulimeve”. Pika më afërt e projektit tonë me liqenin është 44.14 metra.

Zona ku planifikohet lagja, sot nuk ka përmbajtje të drunjëve, por pasi të ndërtohet lagjja aty drunjtë do të jenë në shumicë, madje duke u ndarë edhe rrugicat me emra të drunjëve të mbjell.

Pa asnjë mëdyshje, jemi të hapur për komunikim me secilin qytetar dhe aktivist për të sqaruar çdo pore të projektit, pasi asgjë s’kemi që të fshehim. Gjithçka është publike, gjithçka ka shkuar me dokumente dhe gjithçka i është përmbajtur ligjit dhe anës tonë njerëzore.

Nuk jemi të parët në botë që po e bëjmë këtë gjë. Ne po sjellim praktikën ndërkombëtare, sikur e kemi bërë gjithmonë.

Faleminderit dhe rrini të qetë. 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0