Skandal: Polici i Kosovës tenton ta dhunojë një 21-vjeçare në kufi me Shqipërinë

Skandal: Polici i Kosovës tenton ta dhunojë një 21-vjeçare në kufi me Shqipërinë

Tri ditë më parë, në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri, një zyrtar i Policisë së Kosovës ka tentuar ta dhunojë një femër të moshës 21-vjeçare, në tualetin e kufirit. Krejt kjo ngjarje ka ndodhur në territorin e Shqipërisë, derisa zyrtari ishte në detyrë. Këtë ngjarje të rëndë e kanë konfirmuar për Express Policia e Kosovës dhe IPK-ja

Merret vesh se bëhet fjalë për G. B., zyrtar i Policisë së Kosovës, i cili deri para se ta kryejë këtë vepër skandaloze të tentim-dhunimit, ka punuar në pikën kufitare të Vërmicës.

Edhe Inspektorati i Policisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë konfirmuar se personi në fjalë, është arrestuar si dhe është suspenduar nga puna.

“Inspektorati Policor i Kosovës më 01.05.2018 përmes Linjës së Kaltër… ka pranuar një informatë nga Stacioni Policor – Pika Kufitare Vërmicë, në lidhje me një rast “tentim dhunimi” ku ishte i përfshirë si i dyshuar zyrtari policor me inicialet G.B., punonjës në Pikën Kufitare të Vërmicës”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Gëzim Berisha kishte shkuar në tualetin që gjendet në territorin e Shqipërisë në këtë pikë kufitare dhe kishte tentuar ta dhunojë 21-vjeçaren nga Istogu.

Ai, fillimisht u arrestua nga policia e Shqipërisë, e më pas u dorëzua tek autoritetet kosovare.

Inspektorati i PK-së tha për Express se në vend të ngjarjes kanë dalë menjëherë hetuesit e IPK-së dhe kanë ndërmarrë veprime në koordinim me prokurorin kujdestar nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.

“I dyshuari i lartcekur është arrestuar me urdhër të prokurorit (akoma është në mbajtje), si dhe është suspenduar”, thuhet në përgjigje.

Hetuesit e IPK-së, gjithashtu bëhet e ditur se kanë ngritur kallëzim penal dhe kanë rekomanduar vazhdimin e suspendimit deri në një vendim tjetër për Gëzim Berishën.

Mosha e zyrtarit policor nuk është bërë e ditur ende, megjithatë Express ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës, por të njëjtit vetëm kanë konfirmuar se rasti është dërguar në Inspektorat Policor për hetime të mëtejme.

“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se rasti është proceduar në Inspektoratin Policor për hetime të mëtejme sipas procedurave ligjore, andaj për informacione shtesë mund t’iu adresoheni të njëjtëve (IPK-së)”, thuhet në përgjigjen e PK-së, për Expressin.

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0