Shteti në shërbim të këshilltarit të Kryeministrit: Kërkohet heqja e akcizës për cigare (dokument)

Shteti në shërbim të këshilltarit të Kryeministrit: Kërkohet heqja e akcizës për cigare (dokument)

Pas koncept dokumentit që synonte zhvillimin ekonomik me anë të bixhozit, Qeveria tani ka hartuar një koncept dokument të ri i cili parasheh që zhvillimi ekonomik të bëhet edhe me anë të duhanit. EkonomiaSot ju sjell hulumtimin që tregon se cili është propozimi saktësisht, si dhe kush prej kabinetit të Kryeministrit pritet të përfitojë nga ky ndryshim.

Koncept dokumenti për “Ndryshimin e Politikave Fiskale dhe Bujqësore për Prodhimin e Duhanit dhe Cigareve në Kosovë” është përgatitur nga Ministria e Financave dhe pritet të shqyrtohet sot në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ekipi që ka përgatitur koncept dokumentin, i kryesuar nga Fatmir Gashi, zëvendësministër i Financave, ka propozuar opsionin me ndryshimet si në vijim:

  1. Të hiqet akciza për cigare dhe duhan, dhe në vend të akcizës të aplikohet taksa në vlerë të mallit – 30%
  2. Të bëhet subvencionimi i duhanit në shumën 1 EUR/kg

Aktualisht, cigaret i nënshtrohen akcizës në shumë prej 45 EUR/KG, ndërsa duhani 35 EUR/kg. Në vitin që shkoi, Kosova ka importuar afërsisht 2,770 tonelata cigare, që i bie se të hyrat vetëm nga akciza e cigareve ishin rreth 125 milionë euro. Po të aplikohej taksa prej 30% në vend të akcizës, të hyrat për buxhetin do të ishin vetëm 20 milionë euro.

Një nismë e ngjashme si kjo për lehtësimin e industrisë së duhanit, javë më parë ishte edhe ajo për heqjen e barrierave për industrinë e bixhozit, e cila u prit me kundërshtime të forta nga ana e publikut.

Ngjashëm si për bixhoz, edhe në këtë koncept dokument thuhet se heqja e akcizës për cigare dhe duhan do të ndikojë në rritjen ekonomike, uljen e papunësisë, si dhe uljen e kriminalitetit.

 

Kush pritet të përfitojë nga ky ndryshim?

Fabrika e vetme që është marrë me prodhimin e cigareve në Kosovë është Fabrika e Duhanit në Gjilan. Kjo fabrikë ishte privatizuar kohë më pare, dhe pas një varg dështimesh për ri-aktivizim tani është në duart e një kompanie të quajtur “Premium Tobacco Group”.

Një kërkim në regjistrin e bizneseve tregon se pronari kryesor i firmës “Premium Tobacco Group” është Gazmend Abrashi, aktualisht këshilltar i Kryeministrit Haradinaj, dhe njëkohësisht Koordinator për Zhvillim Ekonomik në Qeveri. Abrashi poashtu është edhe nënkryetar në partinë e Kryeministrit Haradinaj.

Dy aksionarët tjerë janë Shkëlzen Bashota dhe Genc Bashota. Ky i fundit aktualisht është Drejtor për Planifikim Strategjik në Komunën e Prishtinës.

Marrë parasysh që Abrashi ka në pronësi të vetmen fabrikë në vend për përpunimin e duhanit, është më se e qartë se përfituesi i vetëm i kësaj nisme do të jetë personalisht ai. Me fjalë tjera, Qeveria po vihet në shërbim të interesave të ngushta të kabinetit qeveritar, e kjo po bëhet në emër të zhvillimit ekonomik dhe uljes së papunësisë.

Sikur të mos mjaftonte vetëm heqja e akcizës, në koncept dokument është paraparë që të fillojë edhe subvencionimi i prodhuesve të duhanit me nga 1 EUR/kg. Në shikim të parë, kjo duket si ide e mirë për të ndihmuar ata që duan të merren me këtë kulturë bujqësore. Mirëpo mënyra se si është shkruar propozimi në koncept dokument, len të kuptohet që përfituesi fundor përsëri do të jetë biznesi i Abrashit.

Aty thuhet që pagesa e subvencionimit bëhet kur produkti dorëzohet tek grumbulluesi. Meqenëse grumbulluesi i vetëm do të jetë firma e Abrashit, i bie që edhe përfituesi direkt i subvencionimit do të jetë pikërisht vetë ai.

Zhvillim ekonomik, apo favore për miqtë?

Pas publikimit të koncept dokumentit për bixhozin, kryesisht u spekulua për lidhjet e Kryeministrit me këtë industri, sidomos në të kaluarën, dhe një lëvizje e tillë u pa në funksion të krijimit të favoreve për bashkëpunëtorët e tij. Për më tepër, koha kur u prezantua koncept dokumenti i bixhozit koincidonte me kohën kur u morr vendimi që bixhozi dhe bastoret të mbylleshin në shtetin fqinj, në Shqipëri. Kësisoj, të gjitha bizneset e bixhozit që po mbylleshin në atje do të mund të transferoheshin në Kosovë dhe të vazhdonin operimin këtu. Megjithatë, një lidhje direkte në mes të Qeverisë dhe industrisë së bixhozit ishte e vështirë të dëshmohej.

Mirëpo kësaj radhe lidhja e Kryeministrit, ose së paku kabinetit të tij, me industrinë e duhanit është më se e qartë, dhe e gjitha kjo po bëhet për të vënë në përdorim shtetin për interesa personale të rrethit të ngushtë të Kryeministrit. /EkonomiaSot

 

[Ky hulumtim është prodhim i EkonomiaSot, andaj ndalohet kopjimi pa lejen paraprake nga [email protected]]

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0