Shefja e OBSH-së për Kosovë: Situatë alarmante, maskat në publik të jenë obligative

Shefja e OBSH-së për Kosovë: Situatë alarmante, maskat në publik të jenë obligative

Në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit, janë shënuar edhe 129 raste të reja me COVID-19. Duke e parë trendin e rritjes, shifrat po dalin të jenë shqetësuese për institucionet shëndetësore në vend. Ekspertët shëndetësor po rekomandojnë që vendosja e maskave gjatë daljeve në publik të bëhet e obligueshme. Kështu po deklaron në një prononcim për Gazetën Express, shefja e OBSH-së për Kosovën, Isme Humolli.

Humolli ka deklaruar se situata për momentin në Kosovë është alarmante. E gjithë kjo pas shfaqjes së rasteve të fundit e që sipas saj janë pasojë e mosrespektimit të masave si ajo për distancim social si dhe mosvendosja e masave.

“Në fakt rritja e numrit të rasteve paraqet situatë alarmante sa i përket situatës epidemiologjike në Kosovë. e gjithë kjo duke pasur parasysh që edhe në pikun e pandemisë, Kosova nuk e kishte kaluar shifrën e 100 personave të infektuar me Covid-19 brenda një dite”, ka sqaruar Humolli.

Megjithëkëtë, Humolli thotë se në Kosovë duhet të bëhet e obligueshme vendosja e maskave, për secilin person që del jashtë ambienteve të shtëpisë.

“Ajo çka duhet shteti të bëjë në këtë rast, është që ta bëjë të obligueshme daljen e qytetarëve me maska në momentin kur secili person del jashtë shtëpisë së tij. Kosova duhet të mësohet me koronavirusin. Ky vend duhet t’i bindë qytetarët që vendosja e maskave nuk është turp”, deklaron Humolli.

Megjithatë, ajo ka theksuar se komunat duhet të punojnë më shumë në parandalimin e grumbullimit të qytetarëve nëpër kafene. Ajo thotë se në shumicën e kafeneve në vend nuk po mbahet distanca sociale e vendosja e maskave.

“Grumbullimi gjatë këtyre ditëve dhe numri enorm i personave që s’po mbajnë maskë do të na kushtojë. Duhet që qytetarët ta kenë parasysh një fakt që tejkalimi i kapaciteteve shëndetësore të Kosovës me shfaqjen e numrit të madh të rasteve mund të na kushtojë”, sqaron në një deklaratë për Express, shefja e OBSH-së për Kosovën, zonja Isme Humolli.

“Trendi është në rritje. Urgjent duhet që institucionet të marrin vendim që askush duhet të mos dalë jashtë pa maska”, thotë ajo.

E mbrëmë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar edhe për 129 raste të reja të cilat janë prekur me Covid-19. Nga to 46 ishin nga komuna e Prishtinës. Komuna e Prizrenit 18 raste (sipas vendbanimit: 15 raste Prizren, 1 rast Mazrek, 1 rast Reçan dhe 1 rast Romajë), komuna e Vushtrrisë 15 raste (sipas vendbanimit: 10 raste Vushtrri, 3 raste Akrashticë, 1 rast Begaj dhe 1 rast Maxhunaj), komuna e Rahovecit 9 raste (sipas vendbanimit: 8 raste Rahovec dhe 1 rast Ratkoc), komuna e Pejës 8 raste (sipas vendbanimit: 7 raste Pejë dhe 1 rast Buqan), komuna e Vitisë 6 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Skifteraj, 1 rast Pozharan, 1 rast Zhiti dhe 1 rast Sllatinë e epërme), komuna e Gjakovës 6 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Rogovë, 1 rast Gjakovë dhe 1 rast Mejë), komuna e Lipjanit 5 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Lipjan dhe 1 rast Rufc i ri), komuna e Drenasit 3 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Sankoc dhe 1 rast Fushticë e poshtme), komuna e Fushë Kosovës 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Fushë Kosovë), komuna e Ferizajit 2 raste (sipas vendbanimit: 1 rast Komogllavë dhe 1 rast Ferizaj) dhe me nga 1 rast vendbanimet: Kmetovc-Gjilan, Glloboçicë-Dragash, Kaçanik, Mogillë-Kllokot, Mamushë, Milloshevë-Obiliq, Likoc-Skenderaj, Maqitevë-Suharekë.

Ndërsa, numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 963 që do të thotë se raste aktive në vendin tonë janë 619 raste. Mbrëmë është shënuar numri më i lartë i rasteve të reja në një ditë ku janë regjistruar 129 raste dhe 10 të shëruar.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0