SHBA-ja ua refuzoi vizat më shumë se 20 zyrtarëve të lartë të Kosovës pas taksës

SHBA-ja ua refuzoi vizat më shumë se 20 zyrtarëve të lartë të Kosovës pas taksës

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se më shumë se 20 zyrtarë të lartë institucionalë të Kosovës nuk kanë mundur të pajisjen me viza nga SHBA-ja për shkak të refuzimit të heqjes së taksës.

Ai ka thënë në Interaktiv të KTV-së se ka deputetë e ministra që s’janë pajisur me viza si masë ndëshkuese nga SHBA-ja për shkak se Kosova nuk e ka dëgjuar këshillën e SHBA-së për të hequr taksën ndaj mallrave serbe.

“Taksa ka qenë vendim i drejtë karshi agresionit të Serbisë në raport me Kosovën. E kam theksuar në disa vende. Për këtë vendim s’jemi konsultuar me vendet mike sepse kemi konsideruar se është vendim i yni i drejtë si institucione për t’iu kundërvu një shteti që mundohet ta dëmtojë subjektivitetin tonë ndërkombëtar. Por tash kemi mbërri në një pikë kur na dëmton raportet. Ka një sërë masash të SHBA-së kundër nesh. Numri i zyrtarëve institucionalë që s’kanë mundur të shkojnë në SHBA është i lartë. Ka deputetë, ministra, edhe kryeministri. Mbi 20 është numri i zyrtarëve të cilët s’kanë udhëtuar në udhëtimet e planifikuara për shkak se SHBA-ja s’ua dha vizën”, ka thënë ai duke shtuar se Kosova duhet të ketë kujdes me veprimet në raport me SHBA-në.

Ka thënë se me rezistencën për të hequr taksën, Kosova po e vë veten në listën e vendeve ndaj të cilave SHBA-ja ka vënë sanksione. Në këtë listë, Tahiri ka thënë se Kosova po bëhet si Irani, Rusia e Venezuela.

Ai ka thënë se janë paralajmëruar edhe masa tjera për mosndihma në programe të ndryshme, por edhe financiare.

Tahiri ka thënë se ka takime të rregullta të koalicionit qeverisës dhe se i takon ministrit të dikastereve përkatëse që ta vënë në rend dite pikën për pezullim të taksës.

“Del jashtë veprimit për të cilin jemi mandatuar nëse një ministër i një linje tjetër jep këtë propozim. Duhet të bëhet me autorizim të kryeministrit”, ka shtuar ai.

Ai i është kundërpërgjigjur kryeministrit Ramush Haradinaj që pati deklaruar se PDK-ja dhe presidenti Hashim Thaçi kanë ndikuar që presioni nga SHBA-ja për taksën të rritet.

“Me sanksione janë ballafaquar nga kryeministri e shumë zyrtarë tjerë. S’kemi të drejtë të flasim në emër të SHBA-së sepse po flasin ata vetë. Kemi marrë letër nga tri institucione të SHBA-së sepse u krijua një ndjenjë se SHBA-ja s’ka mendim të qartë dhe unik për Kosovën. Si rezultat të kësaj fryme patëm një letër nga tri institucione Shtëpia e bardhë, Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Mbrojtjes. Ata e bënë të qartë qëndrimin për taksën. Neve na shqetëson shumë”, ka thënë ai.

Tahiri ka thënë se qeveria s’do të bjerë për shkak të taksës, por ka shtuar se duhet të ketë angazhim për kultivim të raporteve me aleatët e jo të ketë dëmtim të tyre.

Në fund Tahiri ka thënë se asnjë politikan nuk duhet të mendojë për vota kur bëhet fjalë për raportet me SHBA-në teksa ka shtuar se në sondazhet e fundit partia e tij është e para.

“Mund të siguroj se në dy sondazhet e fundit dalim në vendin e parë me dallim prej LDK-së e partia e tretë është befasi që nuk dua ta zbuloj”, ka përfunduar ai.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0