SBAShK’u konfirmon grevën prej çerdheve deri te universitetet – s’ka mësim as të hënën

SBAShK’u konfirmon grevën prej çerdheve deri te universitetet – s’ka mësim as të hënën

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se greva në arsim do të vazhdojë. Të hënën fillon java e tretë e grevës në arsimin publik në Kosovë.

As nesër nuk do të fillojë mësimi në arsimin publik të Kosovës. Mësimdhënësit kanë vendosur që të hyjnë në javën e tretë të grevës, e këtë kanë thënë se do ta bëjnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

SBAShK’u, ka thënë se kanë analizuar dy javët e grevës së përgjithshme në të gjithë sektorin e arsimit dhe se kjo grevq ka treguar unitetin e mësimdhënësve.

“Kjo grevë ka treguar unitetin e SBASHK dhe përcjell porosinë e gjithë të punësuarve në sektorin e arsimit, nga çerdhet  e deri në Universitete, që të vazhdohet me grevën  deri në realizimin e kërkesës së drejtë e legjitime të anëtarësisë për ngritjen e gjithë koeficienteve në sektorin e arsimit për se paku 30%  apo për tërheqjen e projektligjit të pagave diskriminues e nënçmues për sektorin e arsimit, me qëllim që ai të punohet rishtazi me kokat e ftohta e me praninë e sindikatave dhe institucioneve”, thuhet në komunikatë.

SBAShK’u ka kërkuar edhe një herë nga institucionet e vendit që të ulen e të bisedojnë për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar. Ata kanë theksuar qëndrimin e tyre për rritjen e koeficientit dhe mësimdhënësit të kenë një vend meritor në Ligjin për Pagat.

Sindikata ka kërkuar që të  shtohen koeficientet për të punësuarit në tërë sektorin e arsimit në mënyrë që këta të kenë vend meritor në Ligjin e pagave, të ulet vlera e koeficienteve për të gjithë nga presidenti e deri të punëtorët tekniko-ndihmës  në mënyrë që të krijohen kushte që të gjithë të kenë vend meritor në projektligjin e pagave.

Ndërkaq sindikata thotë se zgjidhje ka, por për këtë duhet vullneti i institucioneve.

“Zgjidhje ka , por vetëm duhet vullnet i institucioneve.  Deri atëherë greva do të vazhdojë  dhe ky veprim sindikal është legjitim dhe i garantuar edhe me ligjin e grevave dhe Kushtetutën e Kosovës”, theksohet në komunikatë/

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0