Rreth 250 të ftuar në ceremoninë për Ushtrinë e Kosovës

Rreth 250 të ftuar në ceremoninë për Ushtrinë e Kosovës

Pavarësisht kundërshtimeve nga disa shtete, institucioneve të Kosovës u ka mjaftuar mbështetja që kanë marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtete tjera mike që mos të zmbrapsen për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Tashmë kanë mbetur edhe 2 ditë kur deputetët e Kosovës në një seancë parlamentare të premten do të votojnë projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke i dhënë kështu jetë Ushtrisë së Kosovës.

Ky proces ndonëse i vonuar, pas 18 vitesh, po mundëson që vendi ynë të bëhet me Ushtri.

Mbështetjen për këtë transformim e ka bërë shteti me fuqinë më të madhe në botë, SHBA-ja. Madje kjo e fundit ka dhuruar edhe mjete ushtarake për Kosovën.

Pas votimit në Kuvend, kjo ngjarje do të përcillet edhe me një pritje solemne në Ministrinë e FSK-së, respektivisht në Ministrinë e Mbrojtjes. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë përfaqësues të ndryshëm të institucioneve të huaja e të vendit.

Koha e shkurtë e organizimit ka bërë që në këtë ceremoni sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës të mos ketë delegacione të huaja.

Donjeta Gashi, zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus janë rreth 250 persona të ftuar për këtë ceremoni.

“Në ceremoninë shtetërore e cila do të mbahet më 14.12.2018 janë të ftuar vetëm përfaqësues të institucioneve kryesore, ngase hapësira është shumë e limituar. Janë rreth 250 persona. Për shkak të kohës së shkurtër nuk presim ndonjë delegacion të huaj”, ka thënë Gashi për FaktePlus.

Seanca plenare e Kuvendit do të mbahet të premten, më 14.12.2018, në orën 10:00, në sallën e Kuvendit. Ndërkaq, ceremonia në Ministrinë e FSK-së do të mbahet në orën 17:00.

Në rendin e ditës për seancën e 14 dhjetorit do të jenë:

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se transformimi i FSK-së është në përputhje me angazhimet bilaterale dhe multilaterale të Kosovës me shtetet anëtare të NATO-s, sikurse edhe me Selinë Qendrore të NATO-s./FaktePlus

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0