Reagimi i Telekomit pasi Arbitrazhi vendosi në favor të Dardafon, përmenden 13 milionë euro

Reagimi i Telekomit pasi Arbitrazhi vendosi në favor të Dardafon, përmenden 13 milionë euro


Telekomi i Kosovës ka reaguar pasi Gjykata e Arbitrazhit ka vendosur për herë të dytë në favor të “Dardafon”.

Kjo ndërmarrje publike thotë se po paguan faturat e politikës dhe grupeve të interest nga e kaluara, derisa ka bërë thirrje që të ketë hetime për këtë rast.

Sipas tyre, ata obligohen t’ia paguajnë kompanisë “Dardafon” rreth 13 milionë euro dëmshpërblim.

“Telekomit të Kosovës Sh.A., të hënën pas orës 16, i erdhi edhe një “faturë” shumëmilionëshe (rreth 13 milionë euro), për të paguar, pas asaj të cilën e kishte pranuar në vitin 2016 për një shumë prej 39 milionë eurosh, e cila e pati tronditur nga themelet kompaninë dikur më të suksesshme në vend. 

Në gjendjen e krijuar, do të vazhdojmë të angazhohemi që “faturat” e politikës dhe grupeve të interesit jashtë dhe brenda Telekomit të Kosovës Sh.A., të hetohen nga institucionet e rendit dhe ligjit, që nga zanafilla e tyre, duke përmbyllur kështu një epokë kur pjesë të krimit të organizuar dhe të politikës në bashkëveprim po e rrënonin pronën publike dhe në veçanti kompanitë publike, në një përpjekje të përvetësimit të saj/tyre”, thuhet në reagim.

Telekomi e ka quajtur këtë vendim të parregulltë, derisa ka paralajmëruar se do të ndjekë rrugët ligjore për të sfiduar vendimin.

“Si i tillë, vendimi është në esencë i parregullte dhe Telekomi i Kosovës Sh.A. do të vazhdojë të ndjekë rrugët ligjore për të sfiduar vendimin.  Ekspertët tonë ligjor janë duke përgatitur argumentet përmes të cilave do të sfidojnë Vendimin e ICC no. 2481 në gjykatat kompetente”, thuhet në reagimin e Telekomit.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0