Qeveria e kalkulimeve me korrupsionin

Qeveria e kalkulimeve me korrupsionin

Kryeministri Haradinaj nuk e ka ndërmend t’ua tregojë derën bashkëpartiakëve të tij ministra mbi të cilët rëndojnë aktakuza. Ka thënë se nuk ndikohet nga veprimet e partnerëve të koalicionit, teksa ka përmendur edhe kalkulimet që bëjnë të tjerët, shkruan sot Koha Ditore.

Haradinaj e ka zbritur në rrafsh partiak punën e ministrave, të cilët janë kompetentë të punojnë për interesin publik.

“Çdo parti i ka specifikat e veta, arsyet e veta, kalkulimet e veta. Nuk komentoj vendimet e kryetarëve të partive. Mbaj përgjegjësi për Aleancën, për punët që i bën, por nuk përputhen specifikat me të tjerët”, ka thënë Haradinaj, një ditë pasi kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i shkarkoi bashkëpartiakët nga selia e partisë.

“Veseli është partner, sa herë që është i kënaqur me punën e ministrave i shpreh falënderim, sa herë do me i ndërru, i ndërrojmë”, tha Haradinaj.

Janë dy ministra nga partia e Haradinajt në kabinetin qeverisës të tij e që kanë probleme me drejtësinë. Është ministri i Forcës së Sigurisë, Rrustem Berisha, i cili akuzohet për listat e fryra të veteranëve, si dhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, që akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare për periudhën sa ka qenë kryetar i Gjakovës. 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0