Protestojnë punëtoret e “Ramiz Sadikut” për 20 përqindëshin

Protestojnë punëtoret e “Ramiz Sadikut” për 20 përqindëshin

Një grup i punëtorëve të ndërmarrjes ndërtimore “Ramiz Sadiku” në Prishtinë kanë protestuar sot në kërkim të përfshirjes së tyre në listën e përfituesve të fondit 20 përqindësh të privatizimit.

Me parullat në duar “Hetoni mashtrime me 20%”, “Hetoni dhënien e 20%”, “Duam hetime”, “Duam të drejtat tona”, ata kanë marshuar nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të selisë së Prokurorisë së Shtetit për të kërkuar hetim për mospërfshirjen e tyre në listën e punëtorëve përfitues.

Hazir Brestovci, njëri nga përfaqësuesit e punëtorëve në këtë protestë, tha se kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër lënies jashtë kësaj liste.

“Ju jeni dera e vetme në të cilën mund të kërkojmë drejtësi dhe hetime për mospërfshirjen tonë në marrjen e 20%. 490 punëtorë janë të gatshëm të tregojnë për rastin e tyre”, tha Brestovci para prokurorisë.

“Ne jemi të gatshëm të dëshmojmë për korruptimin e sindikatës. Ne si grup jemi përjashtuar nga ky grup i cili ka marrë 20%, lusim prokurorinë që të ndërmarrë hetime të shpejta dhe të drejta në këtë rast”, tha Brestovci.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0