Pezullohet drejtori i Burgut Dyzit dhe shefi i njësisë speciale, bashkë me vëllain e Thaçit thyen kufizimet që vendosi qeveria

Pezullohet drejtori i Burgut Dyzit dhe shefi i njësisë speciale, bashkë me vëllain e Thaçit thyen kufizimet që vendosi qeveria

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, Burim Buleshkaj dhe shefi i njësisë speciale të Policisë së Kosovës, Amir Gërguri janë suspenduar nga detyra.

Lajmin e ka konfirmuar SHKK me anë të një përgjigje për Express.

“Lidhur me rastin në fjalë, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka vendosur për pezullim të përkohshëm nga puna të U. D Drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, dhe njëkohësisht ka ngritur komision hetimor lidhur me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues.

Buleshkaj është pezulluar nga puna për shkak se i njëjti ka shkelur masat e vendosura nga organet e rendit dhe Qeveria e Kosovës për anulimin dhe mos marrjen pjesë në ahengje apo aktivitete të ndryshme në mënyrë që të parandalohet përhapja e pandemisë COVId-9.

Në një aktivitet që dyshohet se ka ndodhur të shtunën, Burim Buleshkaj nën shoqërinë e vëllait të Presidentit Hashim Thaçi, Shefit të Njësive Speciale Amir Gërguri dhe disa personave të tjerë është parë në një fotografi.

Aktiviteti ishte në fshatin Burojë të Komunës së Mitrovicës më saktësisht në vendlindjen e Presidentit Thaçi.

Për arsyen e njejtë sot nga puna është pezulluar edhe Shefi i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, Amir Gërguri.

Lajmin për suspendimin e Gërgurit e ka konfirmuar vetë Drejtori Rashit Qalaj për kallxo.com.

“Po është suspenduar. Arsyeja është për shkak të atij ahengut që është organzu. Sipas të gjithave gjasave ai aktivitet është organizuar të shtunën”, tha Qalaj.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0