Pacientja nga Podujeva testohet për herë të katërt për Covid-19 pas kthimit në shtëpi

Pacientja nga Podujeva testohet për herë të katërt për Covid-19 pas kthimit në shtëpi

Pacientja nga fshati Bradash i Podujevës e cila kishte rezultuar pozitiv me koronavirus më 18 mars (e që ishte rasti i tretë në këtë komunë), pas kthimit në shtëpi (më 27 mars) është testuar tri herë. Ndërkohë që sot, i janë marrë mostrat për të katërtën herë për të parë nëse është shëruar plotësisht.

Epidemiologia në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë, Bedrie Rama, i ka thënë KOHË-s se pacientja është testuar më 2, 3 dhe 7 prill dhe sot i janë marrë mostrat për herë të katërt. E njëjta dy herë ka rezultuar negativ dhe një herë pozitiv, prandaj nuk është konsideruar e shëruar.

“Prej që është lëshuar në shtëpi, është testuar 3 herë, më 2 prill ka dalë negativ, më 3 prill pozitiv dhe dje në mbrëmje (më 7 prill) ka dalë negativ. Sot i janë marrë mostrat edhe njëherë dhe nëse edhe sot del negativ shpallet e shëruar. Pra duhet që brenda 24 orëve me dalë dy herë negativ për t’u shpallë e shëruar”, ka thënë epidemiologia Bedrie Rama.

Ajo ka deklaruar se para dy ditësh është testuar edhe një grua nga Podujeva si e dyshuar me koronavirus, e cila ka pasur simptoma të influencës sezonale, por që ka dalë negativ.

“Personi i katër me koronavirus është një grua (31-vjeçare v.j.) nga qyteti i Podujevës, por ajo është mirë me shëndet dhe nuk ka pasur nevojë të dërgohet në Klinikën Infektive për trajtim. Ne jemi në përcjellje të vazhdueshme të gjendjes së saj shëndetësore dhe të familjarëve të saj”, ka thënë Rama.

Rasti i parë që ka rezultuar pozitiv me COVID-19 në Komunën e Podujevës është 62-vjeçari nga fshati Dumnicë e Epërme. Ai kishte ardhur më 5 mars nga Italia, ndërsa fiks pas 10 ditësh (më 15 mars) pas testimit ka dalë pozitiv. Ai tashmë është personi i parë në Kosovë që është shëruar plotësisht nga 27 marsi. Por, pas tij, të infektuar me këtë virus kanë rezultuar edhe prindi i tij 82-vjeçar dhe motra 54-vjeçare nga fshati Bradash. I pari më 22 mars ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive, duke shënuar kështu viktimën e parë në Kosova nga COVID-19, ndërsa motra e tij, është në pritje të rezultatit të testimit, dhe nëse del sërish negativ sikur mbrëmë konsiderohet edhe ajo e shëruar.

Që prej paraqitjes së rastit të parë pozitiv në Podujevë, institucionet qendrore i kanë futur në karantinë fshatin Dumnicë e Epërme, atë të Poshtme dhe Llaushën. Banorët kanë protestuar dy herë kundër karantinimit, pasi sipas tyre, ka 3 javë që nuk ka raste të reja me këtë virus në këtë pjesë të Podujevës. Një protestë të tillë e kishin organizuar edhe të hënën, por Policia nuk ka lejuar të mbahej. Kundër vazhdimit të masës së karantimit është shprehur edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Podujevës, Nexhmi Rudari. Ai ka thënë se do të ishte mirë që vetëm familja ku ka pasur të infektuar të mbetej e izoluar edhe për disa ditë, ndërsa fahstrave t’u hiqej masa e karantinës. Por, kjo nuk ka ndodhur, pasi 54-vjeçarja (që kishte rezutuar pozitiv me COVID-19) pas kthimit nga Klinika Infektive nuk ka shkuar në Bradash, por ka shkuar te prindërit në Dumnicë të Epërme.

Në Komunën e Podujevës deri tash kanë rezultuar 4 persona me COVID-19, 1 ka vdekur, 1 është shëruar dhe 2 (54-vjeçaja nga Bradashi dhe 31-vjeçarja nga Podujeva) janë të izoluara në shtëpitë e tyre. Edhe rasti i parë edhe i katërti janë persona që kanë ardhur nga Italia.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0