O’Connell mbështet ambasadorin zviceran: Lebet e tha atë që të gjithë e mendojmë

O’Connell mbështet ambasadorin zviceran: Lebet e tha atë që të gjithë e mendojmë

Ambasadori britanik, Ruari O’Conell mbështet ambasadorin zviceran në Kosovë, Jean-Hubert Lebet.

“Ambasadori Zviceran e tha atë që ne të gjithë e mendojmë. Është koha që populli i cili e do Kosovën të veprojë kundër krimit dhe korrupsionit. Është një sfidë e vështirë dhe jo vetëm për Kosovën. Por ata që veprojnë, do ta kenë përkrahjen tonë”, ka shkruar O’Connell, transmeton Koha.net.

Kujtojmë se pak ditë më parë, ambasadori i Zvicrës në Kosovë,Jean-Hubert Lebet është treguar i ashpër me politikanët kosovarë, gjatë qëndrimit të tij në Skenderaj.

Aty ka përmendur numrin e veteranëve, duke thënë që nuk duhet paguar veteranët e rrejshëm, e pastaj të tjerët të investojnë në projekte qenësore për qytetarët. Ka folur edhe për korrupsionin në Kosovë.

“Nuk është normale që qeveria e Zvicrës të financojë ujësjellësin këtu, sepse e dimë që ekzistojnë të holla edhe në këtë vend. E dimë se vlera e këtij projekti është përafërsisht 2.5 për qind e vlerës për veteranët e luftës. Por, veteranët e vërtetë të cilët kanë luftuar për lirinë e këtij vendi. Nuk jemi të lumtur të shohim nëse njerëzit marrin këtë status pa ndonjë të drejtë. Do të thotë, nëse të hollat ruhen, jo për të financuar veteranët e rrejshëm, do të ndërtojmë shumë më shumë sisteme të ujësjellësit. Është shumë irrituese të shohim në këtë vend ku ka shumë shërbyes civilë, tri herë më tepër sesa në vendet e rajonit. Mjaftë është bërë për të përmirësuar administratën publike, mirëpo ende duhet të punohet në ketë drejtim”, tha ai.

Deklaratat e ambasadorit zviceran e përkrahën edhe shumë eksponentë të tjerë, madje, u kritikua ministri Pal Lekaj i cili ka kërkuar largimin e ambasadorit.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0