Nxirren kufomat e fëmijëve të djegur në Gjakovë, dyshohet se zjarri u shkaktua nga rryma

Nxirren kufomat e fëmijëve të djegur në Gjakovë, dyshohet se zjarri u shkaktua nga rryma

Dy fëmijë kanë vdekur sot si pasojë e zjarrit të madh që ka kapluar një shtëpi në fshatin Ujz të Gjakovës. Trupat e tyre u nxorën të djegur nga shtëpia dykatëshe në të cilën ndodheshin fëmijët gjatë kohës kur kishte shpërthyer zjarri. Sipas policisë, të lënduar kanë mbetur edhe tre persona të tjerë, në mesin e tyre edhe prindi i njërit prej fëmijëve të vdekur, pasi viktimat janë djem të axhës. Por cilat janë dyshimet e para se si ka ndodhur zjarri, Express ka mësuar detaje të reja.

Në Ujz të Gjakovës po qëndron ekipi i T7 dhe lidhur me rastin është prononcuar daja i njërit prej viktimave, sipas tij, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga energjia elektrike.

Para kamerës së T7, daja i njërit prej viktimave ka thënë se sipas familjarëve shkak i zjarrit dyshohet se ka qenë rryma elektrike.

Gjithashtu, ai ka pohuar se familjarët kanë folur me KEDS-in para një jave për problemet me rrymë që i kanë pasur, por gjithnjë sipas tij, kompania nuk i është përgjigjur ankesës së tyre.

Për pretendimet e familjarit, Express ka kontaktuar me KEDS-in dhe ata kanë dhënë një përgjigje.

Kjo kompani ka thënë se janë dalë në vendngjarje dhe po analizojnë çdo detaj.

“KEDS ka derguar nje ekipe te eksperteve qe do te analizojne secilin detaj cka ka ndodhe. Ne i kishim lute te gjitha palet qe te permbahen deri te perpilohet raporti i eksperteve bazuar ne te gjeturat ne vendin e ngjarjes. Ne pamje te pare, as shtylla, as kabllo qe e furnizon shtepine nuk jane as te djegura, as te demtuara. Per shkak te ndjeshmerise se rastit, KEDS nuk mund te komentoje dicka tjeter”, thuhet në përgjigjen e KEDS-it.

Ne vendin e ngjarjes është parë ekipi i KEDS-it

Me tragjedinë e ndodhur sot në Ujz po merret Prokuroria Themelore e Gjakovës, ndërsa burime të Expressit brenda saj thanë se të gjitha dyshimet momentale thonë se nuk ishte zjarrvënie nga dikush.

“Zjarri nuk dihet se si ka ardhë, prokurorja e çështjes ka qenë në vendin e ngjarjes. Hetimet janë duke u bërë, për momentin dyshimet nuk thonë se është zjarrvënie nga dikush. Gjitha dyshimet dërgojnë në atë se zjarri ka qenë aksidental”, tha ky burim i Expressit brenda Prokurorisë Themelore të Gjakovës.

Tutje, i njëjti burim tha se në momentin kur shtëpia u kaplua nga zjarri, familjarët e viktimave ishin pranë shtëpisë duke pirë kafe.

Sipas të njëjtit, shtëpia nuk ka pllakë të betonit nën kulm, e ka nga druri, dhe “me siguri zjarri është shkaktuar nga ndonjë shkëndijë zjarri apo kontakt me rrymën”.

“Familjarët janë kanë në një ballkon afër shtëpisë, që rrijnë familjarët gjatë verës, shtëpia e verës, aty tu pi kafe e kanë pa duke dalë tym nga kulmi. Dyshimet thonë se me siguri nga kontakti i rrymës ka ndodh sepse shtëpia nuk ka plloqë, nuk ka pasë plloqë të betonit nën kulm. Është prej materialit të drurit dhe me siguri ndonjë shkëndijë zjarri apo kontakt me rrymë”, tha tutje ai.

Pamje shtëpia e djegur në Ujz të Gjakovës.

Momenti kur nga shtëpia e djegur u nxorën dy trupat e pajetë të fëmijëve.

Shpërthimi i zjarrit në një shtëpi në Ujz të Gjakovës ka lënë të vdekur dy fëmijë të moshës 10-13 vjeç, të gjinisë mashkullore, djem të axhës mes vete. Ndërsa lëndime trupore kanë pësuar edhe tre familjarë të tjerë. Policia ka konfirmuar për Gazetën Express se njëri nga të lënduarit është në gjendje më të rëndë shëndetësore, bëhet fjalë për prindin e njërit nga fëmijët e vdekur.

Sipas informacioneve të para, të lënduarit kanë pësuar vjellje dhe prerje nga xhamat dhe drunjtë që kanë rënë si pasojë e zjarrit. 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0