Ngjarjet kryesore të botës që pritet të ndodhin më 2019

Ngjarjet kryesore të botës që pritet të ndodhin më 2019

Viti 2019 pritet të jetë vit i shumë ngjarjeve të ndryshme në botë. Në mesin e zhvillimeve politike, vëmendja kryesore do të jetë në daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian në fund të muajit mars, ndërsa ngjarja kryesore në sport është kampionati botëror i basketbollit, që do të mbahet në Kinë.
Janar

Gjatë këtij muaji, monedha e përbashkët evropiane, Euro, shënon 20-vjetorin e hyrjes në përdorim. Ndonëse është përballur me shumë sfida dhe rreziqe, ajo mbetet monedha e dytë më e fuqishme në botë. Një ngjarje tjetër që do të shënohet në muajin janar është Forumi Ekonomik Botëror. Tema kryesore e forumit për këtë vit do të jetë globalizimi. Në SHBA do të shënohet Dita e Martin Luther Kingut më 21 janar.

Shkurt

Kinezët do ta festojnë vitin e tyre të ri më 5 shkurt. Rrjeti social “Facebook” mbush 15 vite nga themelimi. Ky rrjet vazhdon të mbetet njëri ndër më të përdorurit në mbarë botën.

Mars

Ky muaj shënon ndoshta ngjarjen më të rëndësishme politike, sidomos për Evropën. Britania e Madhe do të largohet zyrtarisht nga Bashkimi Evropian më 29 mars. Më 30 mars do të shënohet Dita Ndërkombëtare e Frankofonisë. Gjuha frënge ka rreth 360 milionë folës në mbarë botën dhe renditet e gjashta.

Prill

Vendi më i madh në botë me sistemin demokratik, India, voton në zgjedhjet e përgjithshme. Rreth 800 milionë njerëz kanë të drejtë vote. Bota do ta shënojë Ditën e Tokës më 22 prill.

Maj

Muaji maj pritet të mbizotërohet nga kriketi. Ai nuk është sport shumë i njohur në Evropë, por shumë i popullarizuar në disa shtete tjera, sidomos në Indi, Australi, Pakistan e Afrikë të Jugut. Në maj do të përzgjedhet fituesi i Kupës së Botës në këtë sport, ndërsa llogaritet se këtë sport e luajnë 250 milionë njerëz në tërë botën.

Qershor

Edhe qershori pritet të shënohet nga një ngjarje sportive. Gjatë këtij muaji do të mbahet kampionati botëror i futbollit për femra. Ngjarja do të zhvillohet në Francë.

Korrik

Në këtë muaj shënohet Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndonëse i përballur me shumë sfida në aspektin e brendshëm dhe rrafshin ndërkombëtar, ky vend vazhdon të mbetet shteti më i fuqishëm në botë. Më 20 korrik do të shënohet përvjetori i arritjes në Hënë të Neil Armstrongut dhe Aldrinit.

Gusht

Ky muaj pritet të mbizotërohet nga një ngjarje kulturore. Më 15 gusht mbahet festivali i famshëm muzikor “The Woodstock Music Festival”. Në të njëjtën ditë shënohet 250-vjetori i lindjes së Napoleon Bonapartes.

Shtator

Në shtator do të mbahet kampionati botëror i ragbit, ndërsa ngjarja do të zhvillohet në Japoninë e largët. Franca është favorite për ta fituar këtë garë.

Tetor

Në këtë muaj shënohet Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës, e mbështetur në ditëlindjen e figurës së njohur indiane dhe botërore, Mahatma Gandhi, i cili është lindur më 2 tetor të vitit 1869.

Nëntor

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shënohet Dita e Falënderimeve. Në këtë muaj Merkuri do të vërehet si një pikë e vogël e zezë në Diell, shikuar nga planeti ynë. Kjo dukuri ndodh rrallë dhe do të zgjasë disa orë. E njëjta dukuri pritet të përsëritet në vitin 2032.

Dhjetor

Në dhjetor nuk pritet të ketë zhvillime të mëdha. Do të shënohet Dita Ndërkombëtare kundër virusit HIV dhe Dita Botërore për të drejtat e njeriut. Për ata që pëlqejnë filmat, më 20 dhjetor pritet të publikohet episodi i nëntë i serisë “Star Wars”, shkruan “Forbers”, transmeton Gazeta Express./Përktheu: Nasuf Abdyli/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0