Nën “presionin” e OSHP-së, KEK-u ka rekomanduar ofertën më të shtrenjtë për 82 mijë euro

Nën “presionin” e OSHP-së, KEK-u ka rekomanduar ofertën më të shtrenjtë për 82 mijë euro

Edhe pse kishte çmim 82 mijë euro më të shtrenjtë se njëri nga konkurrentët, kompania SNR ishte rekomanduar për kontratë nga ana e Korporatës Energjetike të Kosovës në tenderin: “Furnizim me shirita transportues gomë-pëlhurë”. Ky vendim, sipas KEK-ut, ka ardhur pas tri vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

“KEK-u pas tri vendimeve të OSHP-së ka qenë i detyruar që të zbatojë vendimin e OSHP-së dhe të propozojë për shpërblim me kontratë operatorin ekonomik SNR edhe pse ka çmim më të lartë afërsisht për 82 mijë euro”, thuhet në raportin e KEK-ut për këtë tender, shkruan sot “Koha Ditore”.

E pakënaqur me vendimin e KEK-ut, kompania “Newko Balkan” nga Suhareka ka paraqitur ankesë në OSHP. Pas kësaj ankese, aktiviteti është pezulluar deri në marrjen e një vendimi tjetër nga ky institucion.

Ky aktivitet i prokurimit ka një vit që nuk ka arritur që të përmbyllet. Vlera e parashkruar e kontratës kornizë për 3 vjet është 5 milionë euro. Në këtë aktivitet kanë ofertuar gjashtë kompani. Kompania “Newko Ballkan” ka ofertuar me çmimin 4.4 milionë euro, “SNR”, ka ofertuar me 4 milionë e 482 mijë euro, kompania “Bindi” ka ofertuar me 4.5 milionë euro, Grupi i operatorëve ekonomikë “Tech 1” me 4 milionë e 885 mijë euro, kompania “Xani Impeks” me 4 milionë e 795 mijë euro, si dhe kompania “Ekoninvest” me çmimin 5 milionë e 384 mijë euro.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0