Bajrami: Në Kosovë ka monopol në tregun e energjisë

Bajrami: Në Kosovë ka monopol në tregun e energjisë

Kryeshefi, Arsim Janova thotë se përveç KESCO që është operator në treg janë edhe dy të tjerë HEP kompani kroate dhe GSA nga Shqipëria, por që nuk janë në funksion diçka që e pamundëson liberalizimin e tregut.

“Në funksion të liberalizmit të tregut të energjisë në janar 2017 është nxjerrë udhëzuesi për liberalizim dhe përmes kësaj është ofruar hapja e tregut me shumicë duke vazhduar që gradualisht të bëhet liberalizimi edhe me pakicë,” është shprehur Janova para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.

Ai tha se janë edhe 3 operator të rinj që kanë aplikuar për licenca.

Sipas anëtares së Komisionit që vjen nga radhët e LDK, Hykmete Bajrami, në tregun energjetik në Kosovë ka monopol, dhe nuk ka liberalizim.

“Cila është poenta e licencimit nëse ata e dinë se operimin e kanë të pamundshëm në tregun e energjisë për shkak të kontratës që e ka Qeveria me KEDS,” shprehet Bajrami.

Petrit Pepaj drejtor menaxhues në ZRRE ka sqaruar mos funksionimin e operatorëve të ri.

“Ne kemi pasur një bisedim me dy operator të tjerë dhe i kemi pyetur pse nuk kanë konsumatorë, mirëpo arsyeja e mos funksionimit të tyre është se nuk mund të ofrojnë çmime të favorshme për konsumatorin. Kemi kapacitete të kufizuara. KEK-u ka obligim të jap energji vetëm me konsumatorët që janë të rregulluar,” shprehet Pepaj.

Sipas tij, KEK-u nuk ka kapacitet t’i garantojë furnizim me energji në mënyrë lineare konsumatorëve të parregullt për shkak të obligimit që e ka ndaj KEDS për furnizim të konsumatorëve të rregullt.

Janova ka bërë të ditur se  nga prilli është ndryshuar struktura me pakicë, largimi i tarifave verë-dimër dhe kanë mbetur vetëm natë-ditë.

ZRRE thotë se ka monitoruar ndërtimin e kapaciteteve të reja.

“ZRRE është përballur edhe me lëndë në gjykata. Një ndër to ka qenë edhe vendimi i Gjykatës së Apelit për energjinë e pafaturuar në katër komuna serbe.”

Janova shton se prodhimi në 2017 ka qenë më i ulët se në vitin 2016 për shkak të punimeve ne Hade dhe Shipitullë.

“Çka ka bërë që të rritet importi i energjisë dhe rrjedhimisht është rritur vlera e arkëtuar nga konsumatorët.”

“5.31 për qind është energjia e pafaturuar në veri.”

Në Komision  me vota unanime u votua Raporti Vjetor i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë – ZRRE, për vitin 2017.

Gjithashtu u votua edhe Projektligji për mbrojtjen e konsumatorit. EkonomiaSot.com

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0