“Mosmiratimi i rezolutës trimëroi Thaçin”

“Mosmiratimi i rezolutës trimëroi Thaçin”

Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit i është hapur rruga që ta proklamojë edhe më tutje idenë e tij për korrigjimin e kufijve me Serbinë, sidomos pas dështimit të enjten në Kuvend të rezolutës së iniciuar nga opozita, e cila po që se do të miratohej do t’ia ndalonte të parit të vendit ta paraqiste një ide të tillë, shkruan “Zëri”.

Eugen Cakolli, nga KDI-ja, ka thënë për “Zërin” që me mosmiratimin e rezolutës së opozitës për dialogun presidentit Thaçi veçse i hapet rruga që idenë e tij për korrigjim ta proklamojë më tutje.

“Presidenti pavarësisht kundërshtimeve të kryeministrit Haradinaj, të pothuajse të gjitha subjekteve politike, si dhe të shoqërisë civile, ka vazhduar që idenë e tij ta proklamojë gjatë takimeve të zhvilluara si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Andaj, konsideroj që presidenti do të vazhdojë ta shtyjë përpara këtë ide dhe një gjë të tillë do ta bënte edhe nëse potencialisht rezoluta do të votohej dje”, ka thënë ai.

Kurse lidhur me dështimin e rezolutës së LDK-së ai ka thënë që mospajtimet mes pozitës dhe opozitës ndikuan që rezoluta të mos kalojë.

“Dështimi i votimit të rezolutës së LDK-së ka qenë deri diku i pritur, duke marrë parasysh polarizimin dhe barrikadimin e pozitës dhe të opozitës sa i përket kësaj çështjeje. Në këtë drejtim duhet të mos harrohet ndikimi ende i madh që presidenti Thaçi ka brenda PDK-së, por edhe në vetë funksionimin e Qeverisë në përgjithësi”, ka theksuar ai.

Cakolli vlerëson se interpretimi i Nenit 18 dhe vendimi që Gjykata Kushtetuese do të marrë lidhur me kërkesën e presidentit do të jetë përcaktues i idesë së Thaçit për korrigjim të kufijve.

“Kjo do të jetë faktikisht pika determinuese e së ardhmes së idesë së presidentit, meqë në rast se Gjykata Kushtetuese vlerëson se presidenti nuk ka kompetenca për arritjen e marrëveshjes, atëherë edhe idetë e tij do të mundë të konsideroheshin njëmend politikisht të vdekura. Mirëpo në rastin tjetër kur Gjykata mund të vendosë se presidenti mund ta arrijë një marrëveshje në emër të Kosovës, atëherë atij do t’i krijohej hapësira për anashkalimin e plotë të Kuvendit të Kosovës, si institucioni më i lartë ligjvënës”, ka thënë më tutje Cakolli.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0