Molliqaj thirrje institucioneve të ndalin ARTMOTION që ka blerë Ligën e Kampionëve nga RTS i Serbisë

Molliqaj thirrje institucioneve të ndalin ARTMOTION që ka blerë Ligën e Kampionëve nga RTS i Serbisë

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka ftuar institucionet që të reagojnë ndaj kompanisë ‘Artmotion’, e cila ka blerë kundërligjshëm të drejtat për transmetim të Champions League dhe Europa League brenda territorit të Republikës së Kosovës në gjuhën serbe.

Molliqaj thotë se një veprim i tillë i kundërligjshëm jo vetëm që dëmton kompaninë ‘KUJTESA NET’ e cila i ka fituar të drejtat ekskluzive nga UEFA për transmetim të Champions League dhe Europa League brenda territorit të Republikës së Kosovës, por e cenon edhe sovranitetin e shtetit.

“Blerja nga Serbia e të drejtës për transmetimin e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës, është shkelje e sovranitetit të Republikës së Kosovës, për të cilën duhet të intervenojnë institucionet tona. UEFA ia ka shitur këtë të drejtë direkt një kompanie kosovare, pa pasur nevojë të kalojë përmes Serbisë, por kompania tjetër ARTMOTION, që është në pronësi të Devollëve, ka bërë marrëveshje me Telekomin e Serbisë që edhe ajo ta transmetojë Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës në Kosovë, në gjuhën serbe” ka shruar Molliqaj në reagimin e tij në Facebook.

Sipas tij institucionet duhet të reagojnë ndaj këtij veprimi të kundërligjshëm të ‘Artmotion’.

“Kjo, përveç që dëmton padrejtësisht një kompani kosovare, përbën edhe ndërhyrje në sovranitetin e Kosovës, duke e shtrirë fushëveprimin e Telekomit të Serbisë në territorin e Kosovës. Këshilli i Pavarur Medial duhet të ndërhyjë urgjentisht për ta ndalur këtë intervenim të padrejtë të kompanisë ARTMOTION”, ka përfunduar Molliqaj.

Ndryshe dje për të njëjtën çështje është mbajtur edhe një mbledhje urgjente e Komisionit për Media të Kuvendit të Kosovës.

Në këtë mbledhje është kërkuar që t’i merret licenca kompanisë ‘Artmotion’ pas bashkëpunimit me Telekomin serb, ndërkohë nga KMP-ja është kërkuar që saqrojë rastin dhe më pas të merren veprime.

Gazeta Express ka raportuar vazhdimisht lidhur me rastin, ndërkohë ka siguruar dhe dokumentacionet të cilat e dëshmojnë se si kompania ‘Artmotion’ i ka blerë kundërligjshëm të drejtat e transmetimit të Champions League dhe Europa League nga Telekomi i Serbisë dhe RTS-ja për transmetim brenda territorit të Republikës së Kosovës në gjuhën serbe.

Ky veprim i kundërligjshëm i kompanisë ‘Artmotion’ ka ardhur pasi UEFA të drejtat ekskluzive për transmetiim në territorin e Republikës së Kosovë ia kishte dhënë kompanisë ‘KUJTESA NET’.

‘KUJTESA NET’ për këtë ka angazhuar edhe një avokat gjerman, i cili thotë se blerja e të drejtave nga ‘Artomotion’ është e kundërligjshme./GazetaExpress/

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0