Ministri Çeku i reagon zyrtarit të Qeverisë së Serbisë për trashëgiminë kulturore në Kosovë

Ministri Çeku i reagon zyrtarit të Qeverisë së Serbisë për trashëgiminë kulturore në Kosovë

Zyrtarët serbë vazhdimisht propagandojnë se në Kosovë po sulmohen kishat ortodokse serbe nga shqiptarët dhe se këto sulme janë me motive fetare.

Një të tillë e ka bërë edhe Petar Petkoviq, drejtor i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë e Serbisë, duke akuzuar institucionet e Kosovës se nuk po lejojnë rindërtimin e objekteve të trashëgimisë kulturore serbe.

Ai pretendon se në Kosovë janë shkatërruar 135 kisha dhe manastire që nga pas lufta e vitit 1999.

“Që nga viti 1999, më shumë se 135 kisha dhe manastire janë shkatërruar në Kosovë. Serbia ka rinovuar më shumë se 45 tempuj. Shumë kisha janë ende në rrënoja, sepse Prishtina nuk lejon rindërtimin e tyre. Ata që u vunë flakën nuk mund të ruajnë trashëgiminë kulturore”, ka shkruar Petkoviq në Twitter.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çekut, i cili i ka kujtuar zyrtarit serb krimet dhe shkatërrimet që i bëri shteti serb në Kosovë.

“Statistikat zyrtare tregojnë se kishat janë të sigurta. Në vend që ta pranojnë, disa preferojnë të dëmtojnë paqen duke riprodhuar imazhe të vitit 2004. Taksapaguesit paguan miliona për të rindërtuar kishat, ndërsa Serbia nuk ndërmori asnjë veprim për të adresuar 600 vende të trashëgimisë që shkatërroi gjatë luftës 98-99 dhe kthimin e objekteve tona”, shkoi Çeku në Twitter.

Ndryshe, Serbia asnjëherë nuk ka pranuar krimet dhe shkatërrimet që i ka shkaktuar gjatë vitit 1999 në Kosovë nën regjimin e Slobodan Millosheviqit. /Telegrafi/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0