Madeleine Albright të mërkurën vjen në Kosovë

Madeleine Albright të mërkurën vjen në Kosovë

Ish- Sekretarja e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright më 12 qershor do ta vizitojë Kosovën. Këtë vizitë, Albright po e bënë në nder të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO’së në Kosovë. Ajo të mërkurën pritet që të mbajë fjalim në Tubimin Qendror.

“Më 12 qershor 2019 Kosova shënon 20 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-së. Ne jemi duke shënuar këtë përvjetor historik të Kosovës bashkë me miqtë dhe aleatët tonë me të cilët ndajmë vlerat e paqes, lirisë dhe demokracisë. Njëkohësisht, ne po nderojmë të kaluarën tonë dhe vizionin tonë për paqe të qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e Këshillit Organizativ për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë.

E ish-sekretarja e shtetit Madeleine Albright kohë më parë kishte deklaruar se ndihma që ka dhënë për popullin shqiptar të Kosovës është e arritura më e madhe e saj gjatë kohës sa ishte sekretare Shteti.

“Ndonëse na ndanë oqeani, Kosovën dhe popullin e saj e kam gjithnjë në mendje. Sa herë më pyesin se cila është e arritura ime si Sekretare e Shtetit me të cilën krenohem më së shumti, them se është ndihma që i dhashë popullit të Kosovës. Gjatë këtyre 10 viteve kam qenë krenare për hapat që i ka ndërmarrë Kosova drejt stabilitetit më të madh, përparimit dhe integrimit në bashkësinë Euro-Atlantike”, kishte thënë Albright në urimin  e saj për 10- vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Sipas këshillit, tubimi qendror do të mbahet në sheshin “Skëndërbeu”, duke filluar nga ora 11:00.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0