Lista Serbe  nuk e voton qeverinë LVV-LDK

Lista Serbe nuk e voton qeverinë LVV-LDK

Lista Serbe, njerëzit që duke iu falënderuar unitetit të saj, mbështetjes së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë së Serbisë, ka fituar 10 mandate në Kuvendin e Kosovës, ka vendosur që të mos e mbështesë formimin e qeverisë në Prishtinë, ka thënë sot kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.

Në një konferencë për gazetarë pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe në Beograd, Bërnabiq tha se i ka falënderuar ata për unitetin, duke i lënë anash dallimet dhe së bashku të luftojnë dhe të kenë parasysh vetëm interesat nacionale, raporton agjencia serbe e lajmeve “FoNet”.

Ajo tha se janë ndarë 150 milionë euro për zhvillim ekonomik dhe cilësi më të mirë të jetesës për qytetarët serbë në Kosovë.

“Taksa është kusht për çfarëdo bashkëpunimi serioz ekonomik”, tha Bërnabiqi dhe shtoi se Serbia, ekonomia e saj, humb dy milionë euro në ditë nga taksa 100% që Kosova e ka vënë më shumë se një vit më parë ndaj mallrave nga Serbia.

“Nuk ka kurrfarë bisedimesh serioze pa u hequr taksa”, tha ajo, ndërsa shtoi se marrëveshja për linjën ajrore mes Kosovës dhe Serbisë është gjë e mirë për të gjithë, transmeton Koha.net.

“Presim edhe nënshkrimin e shpejtë të marrëveshjes për trafikun hekurudhor”, tha Bërnabiqi më tej, ndërsa shtoi se edhe ndërtimi i autostradës Beograd-Prishtinë-Tiranë, deri në portin e Durrësit, do të përfundojë deri në fund të këtij viti.

“Për mua, linja ajrore Beograd-Prishtinë është fluturim i brendshëm”, shtoi ajo.

Ndërkaq, shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, tha se përfaqësuesit serbë sot morën vendim që të mos e mbështesin zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës.

“Lista Serbe nuk do të votojë për zgjedhjen e qeverisë në Prishtinë, por do të vazhdojë të zbatojë mandatin që e ka fituar nga populli serb dhe ta përfaqësojë atë në institucione”, tha Gjuriqi, duke shtuar se Lista Serbe do të bisedojë me përfaqësuesit e institucioneve në Prishtinë.

“Institucionet shtetërore të Serbisë, të gjitha vendimet për Kosovën dhe Metohinë në konsultim dhe në pajtim me përfaqësuesit e popullit serb në Kosovë e Metohi, siç do t’i marrin edhe ata vendimet e veta në bashkëpunim me Beogradin”, porositi Gjuriqi.

“Atyre në Prishtinë që planifikojnë të bisedojnë me përfaqësuesit serbë, këtu nga Beogradi u dërgohet porosia se duhet të marrin parasysh dhe të respektojnë votën e popullit serb në Kosovë e Metohi, të cilët njëzëri e kanë mbështetur Listën Serbe, se nuk do t’i arrestoni, nuk do t’i rrëmbeni, t’i dëboni dhe t’ua privoni të drejtat që i mbrojnë serbët”, tha zyrtari serb.

Ai tha se Serbia do të vazhdojë të zbatojë planet për projektin “Serbia 2025” dhe të investojë në komunitetet serbe në Kosovë.

Sipas tij, në bazë të këtij plani, parashikohet ndërtimi edhe i 4,700 njësive të reja të banimit për serbët në Kosovë.

Ndërkaq, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se për marrëveshjen e koalicionit mes LVV-së dhe LDK-së ka mësuar nga mediat, kurse shtoi se asnjë vendim s’do ta marrin pa u konsultuar me Serbinë.

“Marrëveshja është që, sikurse deri më tani, të jemi të bashkuar dhe asnjëherë të mos marrim vendime të njëanshme pa u konsultuar me shtetin tonë, Serbinë”, tha Rakiqi, dhe theksoi se as Beogradi nuk do të marrë vendime të njëanshme në emër të njerëzve që jetojnë në Kosovë.

“Paraqitëm qëndrimin tonë dhe morëm mbështetjen që të mos e mbështesim zgjedhjen e asaj qeverie. Nuk duam të bëhemi frenues, por të luftojmë për interesat e popullit serb. Jemi të gatshëm të marrim pjesë në institucione, përfaqësuesit tanë do të luftojnë dhe gjithmonë do të jenë përkrah popullit të vet”, deklaroi kryetari i Listës Serbe.

“Herën e kaluar mbështetëm qeverinë dhe ishim pjesë e koalicionit me shpresën se ai koalicion dhe politikanët shqiptarë do t’i përmbushin kushtet, e këtu përfshihet jeta më e mirë për popullin serb dhe ndërprerja e represionit, siguria, e mbi të gjitha e atyre në enklava.

“Ishim të ftuar në një bisedë, lexuam në media se është arritur koalicioni dhe u pajtuam, pasi që neve askush s’na ka njoftuar, që të mos i përgjigjemi thirrjeve”, tha Rakiqi.

“Gjithmonë do ta pyesim Beogradin dhe do të konsultohemi me të, kjo është porosia për Prishtinën, por pjesërisht edhe për opozitën të cilën e përfaqësojnë Gjilasi, Obradoviqi, Jeremiqi. Ju, me mentorët tuaj, konsultohuni, sepse nuk e shihni as Beogradin e as Serbinë si shtetin tuaj”, përfundoi Rakiqi.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: