Limaj flet për udhëtimin sekret në Bruksel: Ia çuam platformën Mogherinit

Limaj flet për udhëtimin sekret në Bruksel: Ia çuam platformën Mogherinit

Pak minuta pas takimit me përfaqësues të lartë të BE’së, bashkë kryesuesi i delegacionit të Kosovës në bisedime me Serbinë, Fatmir Limaj, në një bisedë nga Brukseli për Gazetën Express ka bërë të ditur se ia kanë dorëzuar zyrës së Federica Mogherinit platformën për dialogun, i kanë treguar qëndrimin e Kosovës në bisedime, por edhe kanë marrë porosi për taksën, që të gjendet një rrugë që nuk do të pengojë dialogun

Mbrëmë dy bashkëkryesuesit e ekipit negociator për bisedimet me Serbinë kanë udhëtuar për në Bruksel.

Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti sot në takimin me përfaqësues të zyrës së Federica Mogherini dorëzuan platëformën e miratuar javën e kaluar në Kuvend. Ndërkaq treguan edhe pozicionin zyrtar të Kosovës në dialog me Serbinë.

Këtë e ka bërë të ditur në një bisedë nga Brukseli, bashkëkryesuesi Fatmir Limaj, që ka shtuar se është folur edhe për kompetencat e delegacionit në bisedime.

“Sot unë dhe z.Ahmeti kemi pas takim me zyrën e z.Mogherini ideja ka qenë që edhe formalisht sot me ja dorëzu platformën e miratuar javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës dhe jemi njoftuar me ecurinë dhe angazhimet tona si delegacion shtetëror për temat të cilat ne besojmë që duhet të diskutojnë edhe në dialogun e mundshëm gjithashtu edhe dorëzimi i platformës, pak a shumë kjo ka qenë diskutimi, jemi ende në modalitetet e parapërgatitjes për dialog, e njoftuam në tërësi për punën dhe angazhimet që ka bërë delegacioni shtetëror e njoftuam që deputetët në parlamentin e Kosovës me 61 vota kanë votuar platformën e cila përfundimisht do të ketë një pozicion zyrtar të Republikës së Kosovës në bisedimet e ardhshme me Serbinë, gjithashtu përgjigjen për kompetencat e delegacionit shtetëror në dialog, këto kanë qenë temat”, ka deklaruar Limaj.

Tutje, ka bërë të ditur se edhe në këtë takim, BE ka treguar qëndrimin e saj sa i përket taksës së vendosur për produktet serbe e boshnjake.

“Tashmë është i njohur qëndrimi i BE-së, i shteteve të Bashkuara të Amerikës ata kërkojnë me gjet rrugë që taksa të mos kthehet në rrugë të pengimit të dialogut, tash qëndrimet e tyre janë të njohura dhe publike”, deklaroi ai, duke treguar se kanë biseduar me përfaqësues të Bashkimit Evropian për rrugën që duhet të ndiqet për dialogun.

“E kemi njoftuar për platformën e kemi biseduar tema të ndryshme, rrugën si me ndjekë, është vlerësuar angazhimi i punës që ka bërë delegacioni me temat parapërgatitje për dialogun dhe njoftimi për platformën e qëndrimi zyrtar i Kosovës”, ka shtuar ai.

Ky takim i Limajt dhe Ahmetit në Bruksel nuk ishte paralajmëruar, ndërkaq të dy këta kanë udhëtuar pa pjesën tjetër të delegacionit, por vetëm me përfaqësuesit e stafit. Platforma për dialogun, e cila u miratua në Kuvend, sipas ekipit negociator është qëndrimi i vetëm zyrtar që mbajnë në dialogun me Serbinë.

Beogradi ndërkaq ka reaguar ashpër duke thënë se kjo platformë pamundëson bisedimet për shkak se aty sipas tyre ka gjëra të papranueshme për Serbinë.

Ndërkohë, vendosja e taksës prej 100 për qind për të gjitha produktet serbe e boshnjake ka pezulluar dialogun në mes të dy vendeve.

Shteti serb ka bërë të ditur se bisedimet nuk do të vazhdojnë pa heqje të masës, ndërkaq kryeministri kosovar që një gjë e tillë të ndodhë ka kërkuar paraprakisht njohjen e Kosovës nga Serbia./GazetaExpress

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/limaj-flet-per-udhetimin-sekret-ne-bruksel-ia-cuam-platformen-mogherinit-634618/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0