Kuvendi s’ka kuorum për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare

Kuvendi s’ka kuorum për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare

Në mungesë të kuorumit kanë dështuar të votohen në Kuvend të Kosovës marrëveshjet ndërkombëtare.

Para se të hidhej në votim, Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka bërë thirrje për deputetët që të japin votën pro marrëveshjeve.

“Në kohën kur kemi qenë në opozitë po edhe gjatë viteve 2008-2014, ka pas rast e kur i kemi shty, por gjithmonë i kemi votu, jemi në kohë pandemie, këto marrëveshje, kapin një vlerë monetare 62 milionë euro. Kjo ka me qenë edhe në shtytje për sektorin privat. Sinqerisht ju lus që kësaj radhe të na jepni mbështetjen, ne e kemi sjellë buxhetin në Kuvend. Edhe buxheti bazohet në marrëveshje ndërkombëtare. Janë qindra mijëra qytetarë që kanë aplikuar për pakon emergjente, ata po presin të marrin mjetet për të cilat ne jemi zotuar që do t’i japin. Ata e kanë të vështirë me kuptu, po kërkojnë që ne si përfaqësues të opozitës dhe pozitës të ju japim mbështetje në kohë të pandemisë”, tha Bajrami.

Megjithatë, pro marrëveshjes së parë që u hodh në votim, votuan vetëm 58 deputetë.

Në mungesë të kuorumit, kryeparlamentarja Vjosa Osmani propozoi që marrëveshjet tjera të mos hidhen në votim, e kjo seancë të shtyhet për një ditë tjetër.

“Po propozoj që meqë nuk kemi korum kjo seancë të shtyhet në një moment kur kryesia të vendos për mbajtjen e saj”, ka thënë Osmani, derisa, ka ftuar deputetët që në ora 15:30 të kthehen në seancë të rregullt ku do të raoprtojë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti lidhur me vizitën në SHBA.

Marrëeveshjet që ishin në rend të ditës për t’u votuar:

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar.

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan.

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit ‘Dogana 2020’.

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0