Kuvendi miratoi Rezolutën për të pagjeturit

Kuvendi miratoi Rezolutën për të pagjeturit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash kanë votuar një rezolutë për personat e pagjetur.

Kjo rezolutë ka pasur të votohet më 27 prill në një seancë të jashtëzakonshme e ftuar nga deputetët Andin Hoti dhe Saranda Bogujevci, por që në atë seancë nuk kishte kuorum.

Për rezolutën kanë votuar 71 deputetë, ndërsa kundër 4 deputetë.

 Pikat e rezolutës:

1. Të bëhet zbardhja e fatit të personave të zhdukur me forcë bazuar në të drejtën ndërkombëtare, përfshirë konventën e Gjenevës të vitit 1949 dhe në protokollin shtesë numër 1 1977. Zbardhja e fatit të personave të zhdukur me forcë të vendoset si parakusht në dialogun Kosovë-Serbi dhe të bëhet pjesë e platformës shtetërore për dialogun!

2. Institucionet e autorizuara për dialog duhet t’i raportojnë Kuvendit dhe komisioneve përkatëse për çdo takim me palën serbe!

3. Subjektet bartëse të politikës parlamentare dhe politikës së jashtme të Kosovës në agjendat e takimeve me përfaqësues të OKB-së dhe BE-së dhe shteteve me ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare të fokusojnë me prioritet zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë dhe për zbatimin e pikave të rezolutës ta njoftojnë Kuvendin e Kosovës.

4. Të gjithë bartësit e detyrave në bazë të pikave të kësaj rezolute të qasen në mënyrë të veçantë në dialogun me Serbinë të zbardhjes së fatit të Ukshin Hotit për shkak të rrethanës së zhdukjes së tij, të planifikuara nga strukturat komanduese të shtetit serb, përfshirë drejtorin e burgut të Dubravës në Istog dhe Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë.

5. Qeveria e Kosovës të finalizoj deri në fillim të muajit qershor 2018 koncept dokumentin e personave të zhdukur dhe të procedoj ndryshimin e ligjit për persona të zhdukur, gjegjësisht bazës ligjore dhe të njëjtin ta procedoj në Kuvend!

6. Qeveria të trajtoj me prioritet funksionalizimin e regjistrit qendror të personave të zhdukur, përfshirë edhe versionin elektronik me mundësinë e digjitalizimit me qëllim qasjen e publikut dhe rritjen e transparencës!

7. Qeveria të angazhohet që të lidh marrëveshje mirëkuptimi me Qeverinë e Serbisë për të ashtuquajturën ndihmë juridike ngjashëm me marrëveshjen që ka bërë Serbia me Bosnjën dhe Kroacinë!

8. Institucionet kompetente të Kosovës të angazhohen dhe të padisin Serbinë si përgjegjëse kryesore për personat e zhdukur duke përfaqësuar familjarët individualisht ose si grup në instanca ndërkombëtare.

9. Qeveria obligohet të realizoj projektin për shfaqjen e të dhënave të të zhdukure tek përmendorja e jashtë objektit të kuvendit dhe të përfundoj puna në memorialin në Meje të Gjakovës deri në fund të vitit 2018.

10. Të ngritën kapacitetet institucionale të vendit për t’u marrë plotësisht me personat e zhdukur me forcë.

11. Të hartohet dhe procedohet projektligji i cili mundëson gjykimin e të akuzuarve për krime lufte në mungesë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0