Kurti i përgjigjet Haradinajt: mjerimin nuk e sollën hajnat e pulave, por hajnat si ti, Thaçi, e Veseli

Kurti i përgjigjet Haradinajt: mjerimin nuk e sollën hajnat e pulave, por hajnat si ti, Thaçi, e Veseli

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka kritikuar kryeministrin Ramush Haradinaj për sharjet dhe fyerjet drejtuar ish-prokurorit Elez Blakaj.

Të hënën në Interaktiv të KTV-së, Haradinaj e quajti hajn dhe pishpirik Blakajn që kishte ngritur aktakuzë për listën e fryrë të veteranëve të UÇK-së. Sipas Haradinajt, Blakaj kishte ikur nga Kosova vetëm për magjistraturë në Amerikë dhe jo për shkak se ishte kërcënuar nga veteranët.

“Ky nuk mund të jetë kryeministër yni. Të gjithë atyre që kanë pasur dilema pse iku nga Kosova prokurori Elez Blakaj, ato ua sqaroj mbrëmë në Interaktiv të KTV-së, për natë të Bajramit, kryeministri Ramush Haradinaj. Si njeriu që ka mbase pushtetin më të madh në Kosovë, ai shfryu me sharje e fyerje kundër një individi. Prokurori Blakaj kishte dhënë dorëheqje, kishte lëshuar Kosovën, dhe nuk ishte më i rrezikshëm (sic.), apo jo? Mirëpo, ja që kryeministri e quajti Blakajn me gjithë ato epitete denigruese si ‘hajn i pulave’, ‘pishpirik’, ‘i ikur në Bllacë a Stankovec’ duke ia kontestuar kështu qenien një qytetari. Edhe unë jam çuditur pse iku prokurori Elez Blakaj, por ky kryeministër me sharjet e tij na e tregoi të gjithëve pse. Paramendojeni po të ishte fizikisht në Kosovë ish prokurori Elez Blakaj se çfarë do t’i bënte atij kryeministri Haradinaj? Ajo që i ngjau znj. Deralla me 10 qershor në Prizren ishte asgjë, sepse ajo ishte grua, siç pat shpjeguar asokohe Haradinaj. Me Elez Blakajn situata do të bëhej shumë më dramatike, në mos tragjike”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti po ashtu ka kujtuar se sot janë bërë gjashtë muaj që nga ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, duke thënë se akoma nuk është korrigjuar siç është zotuar Haradinaj.

“E sot u bënë saktësisht gjashtë muaj nga ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi sipas Komisionit Meha. Tash gjashtë muaj kufiri i ndryshuar nuk u korrigjua siç u pat zotuar kjo qeveri me presidentin sipër që ka. Deputetët e vet ky kryeministër i pat mashtruar pikërisht me premtimin se do t’i kthejë ato 8.200 hektarë përfshirë këtu Çakorrin, Zhlepin e Bjelluhën. Thjesht, është një kryeministër mashtrues përveçse kërcënues”, ka shkruar më tej ai.

Kurti po ashtu ka thënë se do të bindej që Haradinaj i do veteranët sikur t’i çonte në skijim në St.Moritz të Zvicrës fëmijët e tyre dhe jo të shkonte vetë. Ka thënë se do të bindej po ashtu sikur të rriste punësimin dhe pagën e qytetarëve dhe jo të dyfishonte pagën e vet.

“Haradinaj i don veteranët e çlirimtarët? Do të bindeshim sikur për skijim në St. Moritz të Zvicrës t’i çonte fëmijët e dëshmorëve dhe veteranëve e jo të shkojë për vete atje (me para të kujt?). Do të bindeshim sikur ta orientonte ekonominë kah prodhimi që sjell fabrika dhe punësim në Dukagjin e jo privatizim abuziv e mallra të Serbisë. Do të bindeshim sikur të rriteshin paga minimale dhe ajo mesatare në Kosovë e jo të dyfishohej paga e tij dhe e shpurës së tij qeveritare. Do të bindeshim sikur të ndërmerrte hapa për bashkimin e Mitrovicës e jo t’ua jepte 1 milion euro serbëve në veri që nuk e paguajnë energjinë elektrike. Do të bindeshim sikur të emëronte bord e menaxhment profesional në Telekomin e Kosovës e jo militantë partie që s’marrin vesh nga telekomunikimet. Etj., etj. Prandaj, jemi të bindur që ky nuk është për kryeministër. Nuk mund të kemi kurrfarë respekti për këtë kryeministër Ramush Haradinajn i cili i lëvyret me përulësi Milan Radojçiqit kurse vjell vrerë ndaj Elez Blakajt. Ky nuk mund të jetë kryeministri im”, ka shkruar në reagimin e tij Kurti.

Në fund ai ka thënë se “Kosovën në mjerin nuk e kanë hedhur hajnat e pulave, por hajnat si Haradinaj, si Thaçi e si Veseli”.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0