“Kosova ka humbur afatet për vizat”

“Kosova ka humbur afatet për vizat”

Kosova i ka humbur pothuajse të gjitha gjasat që ta fitojë liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian (BE) gjatë këtij viti pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të drejtuesve të institucioneve vendore se ende ka shpresë që lëvizja e lirë në zonën Schengen të ndodhë në fund të muajit të ardhshëm (dhjetor).

Demush Shasha, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), ka thënë për “Zërin” që tashmë është shumë vonë që vendimi për heqjen e vizave për Kosovën të merret këtë vit.

“Tanimë ka kaluar pika ku ne do të mundë që këtë vit të fillojmë të lëvizim lirshëm pa viza. Nuk ka mundësi që deri në fund të këtij viti të kemi një vendimmarrje pozitive për këtë proces, sepse tashmë jemi vonë për këtë. Skenari më pozitiv mbetet që së paku gjatë vitit 2019 të marrim vendimin për liberalizim të vizave, por për këtë vit është e pamundur të bëhet liberalizimi”, ka theksuar Shasha.

Kjo gjë, sipas tij, nuk do të mundë të ndodhte edhe sikur i tërë procesi të bëhej në mënyrë të përshpejtuar, si në rastin e shtetit të Gjeorgjisë.

“Edhe sikur kjo gjë të kishte ndodhur në mënyrën më të shpejtë të mundshme, kjo gjë nuk do të kishte mundur të ndodhte këtë vit, tashmë i kemi kaluar këto afate, edhe një gjë e tillë është e pamundur”, ka thënë ai.
Ndërkohë ai ka theksuar se edhe në vitin 2019 kjo çështje rrezikohet edhe më tej, sepse në maj të vitit 2019 organizohen zgjedhjet e Parlamentin Evropian, si dhe prej 1 janarit 2019 udhëheqjen e Presidencës së BE-së e merr Rumania, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës./ZËRI

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0