Kirurgu i QKUK-së bëri eksperiment: Ia ngjiti dorën pastaj ia hoqi, pacienti vdiq dy ditë më vonë

Kirurgu i QKUK-së bëri eksperiment: Ia ngjiti dorën pastaj ia hoqi, pacienti vdiq dy ditë më vonë

Është bërë një vit nga vdekja e punëtorit Shefqet Fetahaj, i cili këputi dorën në vendin e punës në Pejë. Kirurgu Dr. Elmi Olluri ia kishte ngjitur dorën ndërsa një ditë më vonë ia kishte hequr. Fetahaj kishte ndërruar jetë dy ditë pas aksidentit

Një rast që tronditi opinionin në dhjetor të vitit të kaluar ende nuk është zbardhur nga organet e hetuesisë. Shefqet Fetahaj këputi dorën aksidentalisht në vendin e tij të punës më 3 dhjetor në Pejë. Kolegët e tij vrapuan menjëherë për t’i dal në ndihmë dhe për ta dërguar në spital. Fetahaj në ato momente dukej mirë, madje ndihmoi kolegët për ta shtyrë veturën e cila për ironi të fatit nuk ndizej.

Duke u ngutur për të shkuar në Spitalin e Pejës, kolegët e harruan dorën e këputur dhe këtë e kuptojnë vetëm kur e kërkojnë mjekët. Këta të fundit i japin qetësues pacientit dhe e referojnë për në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Kur kanë arritur në Emergjencën e QKUK-së, familjarët tregojnë për Gazetën Shneta se kirurgu vaskular Dr. Elmi Olluri, ka biseduar me ta dhe iu ka thënë se Shefqeti është në gjendje stabile dhe ka kërkuar pëlqimin e tyre për t’ia ngjitur dorën e këputur.

Image

“Pjesëtari i familjes e ka pytur doktorin a është rrezikë për jetë dhe a mund të hy në operim dhe a  do e humb dorën. Doktori i ka than se gjendja e Shefqetit  është stabile dhe gjitha parametrat i ka që mund të hy në operim dhe dora do t’i shpetoj por sigurisht që nuk do t’i funksionoj sikur dora tjetër. Ne si familje sigurisht se kemi pranuar por ne nuk jemi profesionist për ta ditur nëse është e mundur ngjitja e dorës në QKUK apo jo. Këtë është dashur të na tregoj mjeku i cili e ka kryer intervenimin. Dr, Olluri na ka thënë se mund ta realizoj këtë gjë dhe nuk ka asnjë problem dhe asnjë rrezik për jetën e tij”, kanë thënë familjarët në një deklaratë të përbashkët.

Ndonëse nuk është raportuar ndonjë rast në historinë e mjekësisë kosovare për ngjitje të gjymtyrëve, familjarët thonë se Olluri iu kishte thënë se operacioni është kryer me sukses dhe pacienti ishte jashtë rrezikut për jetë. Madje këtë ua kishte ‘dëshmuar’ me mburrje edhe me fotografi. Por Shefqeti nuk do të zgjohej më.

“Pasi është kryer operacioni doktori na ka thënë se Shefqeti do të zgjohet pas 3-4 orësh, por ai nuk u zgjua më. E dërguan në Intensivë, dhe atje deri në mëngjes nuk kemi pas shumë informacione për gjendjen e tij. Në mëngjesin e ditës e nesërme që i bije e martë 4 dhjetor, kur ne familjaret prisnim që Shefqeti të zgjohej na than se nuk e kemi zgjuar por gjendja është stabile më shumë informate nuk na dhanë, than që ka ora 10:00 iu informojmë. Më pas Dr. Naim Kuqi na kanë thënë se nuk janë të kënaqur me gjendjen e Shefqetit sepse dorës i është ndryshuar ngjyra”, thonë familjarët.

Pacientit i ishte përkeqësuar gjendja nga gjakderdhja, por familjarët nuk ishin vënë në dijeni. Kirurgu Olluri sërish do të kthehej te pacienti i tij më 5 dhjetor, por kësaj radhe për t’ia hequr dorën. Pasi e kishte kryer këtë intervenim, Olluri do të kërkonte nga familjarët nënshkrimin e letrave të operacionit të parë, kur kishte provuar t’ia ngjiste dorën.

“Ne i kemi nënshkruar sepse nuk e kemi ditur se çfarë po ndodh. Disa orë pasi i kemi nënshkruar letrat na kanë kumtuar lajmin se Shefqeti ka ndërruar jetë. Ne kemi dyshuar dhe vazhdojmë të dyshojmë në trajtimin profesional ndaj Shefqetit nga mjekët e QKUK-së. Ne si familjar jemi te bindur se sikur mos te ish bërë ndërhyrja për ngjitjen e dorës Shefqetin nuk do ta kishim humbur, ai do të ishte në mesin tonë”, kanë deklaruar familjarët. Pas vdekjes ata kanë kërkuar që trupit t’i bëhej obduksioni, por raporti për këtë nuk është kryer ende.

Prokuroria iu ka thënë atyre se janë në pritje për ta kompletuar lëndën me raportin e Mjekësisë Ligjore. Gazeta ka marr vesh nga burime brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore se rastin e Fetahajt e ka trajtuar Dr. Naim Haliti. Gazeta ka provuar disa ditë radhazi të kontaktojë me Halitin, por nuk ka pasur qasje në telefon.

Gazeta ka kontaktuar dhe ka kërkuar sqarime edhe nga kirurgu Elmi Olluri, por i njëjti nuk ka pranuar të përgjigjet. “Meqenese kemi te bejme me trajtim te pacientit, mbeshtetur ne Kodin e Deontologjise Mjekesore, ne si profesioniste nuk kemi te drejte te prononcohemi per media lidhur me trajtimin e pacientit! I inkurajoi te gjitha ata qe kane ndonje pretendim per mua dhe/ose koleget e mi, qe keto pretendime t”i dergojne ne Keshilli Etik te Odes se Mjekeve te Kosoves, i cili eshte  i vetmi institucion legal dhe legjitim per tu marr me çeshtje profesionale ne fushen e mjekesise!”, ka deklaruar Olluri në përgjigjen e tij.

Image

Në anën tjetër familjarët po kërkojnë përgjegjësi nga institucionet. Ata thonë se nuk do të ndalen derisa të vënë drejtësinë në vend për vdekjen e Shefqetit.

“Prokuroria po kërkon të kompletohet lënda, ndërsa Mjekësia Ligjore tash e një vit nuk ka kthyer asnjë përgjigje për rezultatet e obduksionit. Ne kërkojmë që të zbardhen këto rezultate dhe ta dijmë arsyen e vdekjes së familjarit tonë. Kërkojmë nga organet e hetuesisë që t’i vazhdojnë hetimet për këtë rast dhe fajtorët të dalin para drejtësisë. Ne nuk do të ndalemi derisa drejtësia të zbardh vdekjen e djalit, babait dhe vëllait tonë”, kanë deklaruar familjarët.

Shefqet Fetahaj ndërroi jetë më 5 dhjetor 2018 në QKUK në moshën 42 vjeçare. Ai la pas bashkëshorten me dy djem. /Gazeta Shneta

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0