KDI tregon arsyet pse Kosova pësoi regres në luftën kundër korrupsionit

KDI tregon arsyet pse Kosova pësoi regres në luftën kundër korrupsionit

Rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2018 e zhvendosin Kosovën prapa në ranglistën botërore. Kjo u bë e ditur sot gjatë konferencës për media të mbajtur nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), degë e “Transparency International” – rrjetit global në luftën kundër korrupsionit, në të cilën u publikuan rezultatet e këtij indeksi.

Me këtë rast Fjolla Uka nga KDI, theksoi se sikurse edhe në vitet e kaluara, edhe këtë vit, Transparency International (TI) ka publikuar rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, i cili përdor një metodologji të sofistikuar shkencore.

Burime të informatave për këtë hulumtim janë kryesisht raportet kredibile nga organizata ndërkombëtare si Freedom House, World Bank, Bertelsmann Foundation, Global Insight dhe Varieties of Democracy Project. Indeksi shfrytëzon sistemin e vlerësimit prej 100 shkallësh në të cilin vlerësimi maksimal do të thotë ‘vend i pastër nga korrupsioni’ kurse vlerësimi prej zero pikë do të thotë ‘vend shumë i korruptuar’.

Uka njoftoi se në nivel global, prej 180 vendeve që marrin pjesë në këtë vlerësim, Danimarka radhitet e para këtë vit me 88 pikë duke kaluar liderin e vjetëm Zelandën e Re i cili ka 87 pikë. Vendin e tretë e ndajnë Finlanda, Singapori, Suedia dhe Zvicra me 85 pikë.

Arben Kelmendi deklaroi se Kosova sivjet ka humbur dy pikë në sistemin e vlerësimit të CPI (nga 39 sa kishte më 2017 në 37 pikë) dhe si rrjedhojë ka rënë nga pozita e 85-të në atë të 93-të.

“Kosova me 37 pikë ende ndodhet nën mesataren globale prej 43 pikësh. Rankimi i dobët i Kosovës në Indeksin e sivjetmë i atribuohet kryesisht institucioneve të brishta të sundimit të ligjit, nivelit të lartë të mosndëshkueshmërisë së rasteve të korrupsionit, mungesës së llogaridhënies së zyrtarëve publikë, transparencën e pamjaftueshme dhe ngushtimin e hapësirës për pjesëmarrje qytetare”, ka shtuar ai.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0