Jepen detaje për tri arbitrazhet milionëshe që e presin Kosovën

Jepen detaje për tri arbitrazhet milionëshe që e presin Kosovën

Shteti edhe zyrtarisht ka nisur përgatitjet për t’u përballur me tri kompanitë që kanë ushtruar padi në Arbitrazh ndaj Qeverisë së Kosovës.

Dy kompani vendore dhe një e huaj nga Britania, kanë paditur Kosovën, respektivisht Ministrinë e Drejtësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Mabco Constructions SA, kompania e Bedri Selmanit, dhe Fox Marble LTD, janë tri palët paditëse në këtë rast.

Ndër kompanitë vendore që kanë dorëzuar padi kundër Kosovës, figuron edhe kompania e ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollit, i cili ka paditur Ministrinë e Drejtësisë lidhur me rastin e Hotel Grandit, të cilin Pacolli e kishte blerë, por që më pas atij i ishte anuluar ky privatizim.

Padi në Arbitrazh ndaj shtetit të Kosovës ka bërë edhe kompania e ish-zyrtarit të PDK-së, Bedri Selmani. Selmani akuzon shtetin për shkelje të rëndë ligjore të afarizmit të ndërmarrjes, që i është bërë nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), përmes ofertimit për dhënien me qera të një pjese të aseteve të “Kosova Petrol”, të cilat, siç pretendon Selmani, nuk ishin as në administrim dhe as në menaxhim të AKP-së.

Ndërkaq, kompania e tretë është nga Britania, Fox Marble LTD, dhe e njëjta ka ushtruar padi për një rast në sektorin minerar.

E sipas Ministrisë së Drejtësisë, Avokatura shtetërore ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për mbrojtjen e Republikës së Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit për këto raste.

Kjo ministri, për Buletinin Ekonomik ka dhënë detajet se deri më tani, qeveria e Kosovës ka shpallur vetëm përfaqësuesin mbrojtës në rastin e kompanisë së Behgjet Pacollit, Mabco Constructions SA.

Wagner Arbitration do të jetë firma ligjore që së bashku me Avokaturën Shtetërore do ta përfaqësojnë Kosovën si avokatë të Jashtëm në procedurën e Arbitrazhit.

“Rasti Mabco Constructions SA, ju njoftojmë se me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pas një procedure konkurruese, është shpallur firma ligjore fituese – Wagner Arbitration. Kjo firmë së bashku me Avokaturën Shtetërore e përfaqëson Republikën e Kosovës si avokat të jashtëm në procedurë të arbitrazhit.”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Drejtësisë drejtuar Buletinit Ekonomik.

Kurse për rastin e Bedri Selmanit, Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se Qeveria ka nxjerrë vendim për inicim të procedurave ligjore për përzgjedhjen e firmës për përfaqësim të vendit, ndërsa për rastin e tretë të kompanisë Fox Marble LTD, Qeveria e Kosovës ende nuk ka bërë asnjë hap për përzgjedhjen e kompanisë e cila do të mbrojë e interesat e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Vlera e kontratës së përfaqësimit ligjor vetëm në rastin e Mabco Constructions SA të Behgjet Pacollit, sipas Ministrisë së Drejtësisë është 490 mijë euro, deri në përfundim të procedurës së përfaqësimit – pra lëshimit të vendimit nga Tribunali.

Ndërkohë, dy rastet e tjera nuk kanë ende ndonjë vlerë financiare të përcaktuar, se sa do t’i kushtojë shtetit përfaqësimi, pasi procedura ende nuk është përfunduar.

Ndryshe, edhe ish ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri kishte paralajmëruar se tri arbitrazhe ndërkombëtare e presin Kosovën në muajt në vazhdim, e të cilat mund ta dëmtojnë buxhetin e shtetit deri në 150 milionë euro.

“Ministri i ri duhet të ketë shumë kujdes dhe të angazhoj ekipe të mirëfillta për përballje në arbitrazh me këto raste. Në total këto padi arrijnë në 150 milionë euro”, kishte thënë Tahiri. /Buletini Ekonomik/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0