“Institucionet shpenzuan rreth 20 milionë € për telefona, karburante e mëditje për udhëtime”

“Institucionet shpenzuan rreth 20 milionë € për telefona, karburante e mëditje për udhëtime”

Mëditjet për udhëtimet zyrtare brenda dhe jashtë shtetit përbëjnë një shumë të majme të shpenzimit të parasë publike. Po ashtu, miliona euro të buxhetit të Kosovës shpenzohen për mbushjen e veturave zyrtare me karburante, mbushjen e telefonave mobilë, e po ashtu edhe për shpenzime të reprezentacionit (ku hyjnë shpenzimet e drekave dhe darkave zyrtare). 

Si shpenzime direkte të ndërlidhura me postet e politikanëve apo zyrtarëve publikë është e rëndësishme të analizohet se sa konkretisht shpenzohet buxheti për këto kategori dhe kush janë shpenzuesit më të mëdhenj.

Secila nga këto kategori ka pasur rritje nga viti 2017, ku shpenzimet për mëditje janë rritur për 45%, për reprezentacion për 18%, për telefona mobilë për 30% si dhe për karburante për 1%. Për disa vite me radhë, Instituti GAP ka publikuar të dhëna për shpenzimet e ministrave e ministreve dhe zyrtarëve të kabineteve të tyre për mëditje, telefoni mobile, karburante dhe reprezentacion. Të dhënat për këto shpenzime janë mbledhur përmes kërkesave zyrtare në institucionet përkatëse ngase ato nuk publikohen në faqet zyrtare të institucioneve.

Në të shumtën e rasteve, një numër i konsiderueshëm i ministrive vazhdojnë të mos përgjigjen në kërkesat tona si për shembull, Zyra e Kryeministrit në tri vitet e fundit është përgjigjur vetëm për shpenzimet e vitit 2017; Ministria e Punëve të Jashtme nuk na është përgjigjur për tri vite me radhë, Ministria e Administratës Publike për dy vite me radhë, Ministria e Arsimit, Shkencës, dhe Teknologjisë është përgjigjur pjesërisht apo nuk është përgjigjur fare.

Duke u bazuar në postet drejtuese, në institucionet për të cilat kemi të dhëna, këshilltarët politikë kanë shpenzuar më së shumti për mëditje dhe përdorim të telefonave mobil, kurse zëvendësministrat/et kanë shpenzuar më së shumti për reprezentacion dhe për karburante për vetura.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0