Inspektorati thotë se veturat e Policisë janë përdorur jashtë orarit të punës e pa autorizime

Inspektorati thotë se veturat e Policisë janë përdorur jashtë orarit të punës e pa autorizime

Automjetet zyrtare të Policisë së Kosovës jo gjithmonë përdoren sipas ligjeve dhe rregulloreve të parapara me ligj.

Një raport inspektimi i bërë nga Inspektorati Policor i Kosovës “Mbi përdorimin e veturave zyrtare jashtë orarit të punës”, ka nxjerrë në pah shumë mangësi dhe probleme gjatë përdorimit të veturave nga ana e zyrtarëve policorë të Kosovës, raporton KTV.

Vetëm brenda një dite, nga 100 vetura që ishin përdorur jashtë orarit të punës, inspektorati kishte verifikuar se disa prej tyre ishin përdorur me autorizime të skaduara.

IPK-ja gjithashtu ka identifikuar se një numër i zyrtarëve kanë shfrytëzuar automjetet zyrtare policore pa pasur fare autorizime për përdorim.

Inspektimi ka vënë në pah se çdo i nënti automjet policor që iu është qasur parkingjeve policore dhe i cili është përdorur jashtë orarit të rregullt të punës, është përdorur pa autorizim.

Prej 99 automjeteve të inspektuara, 9 prej tyre ngasësit i kanë përdorur me autorizime me afat të skaduar.

Ndërsa në 11 raste, inspektorati ka vërejtur se përdoruesit e veturave nuk kanë arritur të ofrojnë dëshmi pse i kanë përdorur ato me autorizim.

Këtë mënyrë të përdorimit të automjeteve zyrtare policore, IPK-ja e cilëson si joracional dhe jo të përgjegjshëm, duke i sjellë imazh negativ organizatës policore.

IPK-ja konsideron se kjo gjendje është si rezultat i neglizhencës së zyrtarëve të caktuar policorë për të parashtruar me kohë kërkesat me arsyetimet për nevojat e përdorimit të automjeteve zyrtare jashtë orarit të punës dhe lëshimit apo zëvendësimit të autorizimeve.

Ndërsa ekspertët e komunikacionit thonë se ky menaxhim i veturave zyrtare flet për mangësi dhe joprofesionalizëm të Policisë së Kosovës.

Në raport, inspektorati thekson faktin se ndonëse ekzistojnë autorizimet e lëshuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë për automjetet zyrtare që mund të përdoren edhe jashtë orarit të punës, nuk ekziston Lista e aprovuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Për të gjitha këto gjetje, KTV-ja ka kërkuar sqarime edhe nga Policia e Kosovës por ky institucion nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0