INPO: Komuna e Ferizajt në mënyrë të kundërligjshme jep në shfrytëzim pronën komunale

INPO: Komuna e Ferizajt në mënyrë të kundërligjshme jep në shfrytëzim pronën komunale

Organizata INPO përmes një njoftimi, ka shprehur indinjatë të thellë për paaftësinë dhe dështimet e njëpasnjëshme të komunës së Ferizajt për të adresuar përmes rrugës ligjore ndërrimin e parcelës për ndërtimin e Spitalit në Ferizaj.

Sipas INPO, aprovimi i kundërligjshëm i propozim-vendimit Nr.10463-60 për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të tokës së Komunës, ngastra kadastrale 188-3, zona kadastrale Talinoc i Jerlive Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës(SHSKUK)po dëshmon se kjo qeverisje nuk po i respekton parimet e sundimit të ligjit dhe qeverisjes efikase dhe efektive.

Këtë vendim INPO e vlerëson të kundërligjshëm, duke u bazuar në legjislacionin pozitiv, për këto arsye:

Kërkesa për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale pa procedura konkurruese nuk është bërë nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, respektivisht Ministria e Shëndetësisë, ashtu sikur e parasheh Ligji Nr. 04/L-144 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës Komunale dhe Rregullorja QRK Nr.23/2013 për Përcaktimin e Proceduarave të Dhënies në Shfrytëzim dhe Këmbimit të Pronës së Paluajtshme të Komunës, por është bërë nga ushtruesi i detyrës i drejtorit ekzekutiv të Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt, në emër të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK) pa ofruar dëshmi se është autorizuar nga menaxhmenti i SHSKUK apo Ministria, që të bëjë një kërkesë të tillë.

Qëllimi i kërkesës, respektivisht, shfrytëzimit afatgjatë të pronës komunale është në kundërshtim më Planin Zhvillimor Komunal (PZHK), pasi që sipas këtij dokumenti dhe Planit të Veprimit të PZHK-së,Spitali në Ferizaj është i paraparë të ndërtohet në parcelën kadastrale 22-4, vendi i quajtur “Kodrina e Kazermës”.

Kuvendi komunal nuk mund të jep pronë komunale në shfrytëzim afatgjatë, qëllimi i shfrytëzimit të së cilës është në kundërshtim me (i) parimin e ligjshmërisë, (ii) parimin e efikasitetit dhe (iii) Planin Zhvillimor Komunal.

INPO në vazhdimësi ka kritikuar autoritet e komunës për qasje të jo të drejtëdhe të kundërligjshme në tentativat për të ndryshuar objektivat e PZHK-së.Në mbledhjen e kaluar të kuvendit komunal, ky organ ka anuluar vendimin e tijpër anulimin e zbatimit të aktiviteteve të planit të veprimit të PZHK-së në parcelën kadastrale 22-4, respektivisht për ndërrimin e parcelës për ndërtimin e spitalit, pasi MMPH e kishte vlerësuar si vendim të kundërligjshëm.

INPO bën thirrje tek organet kompetenteqë të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj të gjithë përgjegjësve, të cilët me veprimet e tyre të kundërligjshme, po dëmtojnë parimet e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, duke i shkaktuar dëme interesave të qytetarëve të Ferizajt. Në të njëjtën kohë, INPO i bën thirrje qeverisjes në Ferizaj që të kthejë ligjshmërinë dhe vendimet t’i marr në përputhje me legjislacionin pozitiv.

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KSCF), thuhet në njoftim.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0