Hulumtim: Si u shëndërrua “Banka e Diasporës” në Bankë të AAK-së

Hulumtim: Si u shëndërrua “Banka e Diasporës” në Bankë të AAK-së

Tashmë është sekret publik që eksponentë të afërt me PDK-në kanë futur në kontroll të tyre sektorin e kompanive të sigurimeve dhe si pasojë e kësaj kapjeje, ky sektor ka vite që lëngon. Aq sa, së fundmi një kompani u desh të shkonte në likuidim, ndërsa një tjetër është nën masa administrative të BQK-së.

Për dallim prej sektorit të sigurimeve, sektori bankar deri diku kishte arritur ta ruante pavarësinë nga politika dhe si rezultat ka pasur performancë dukshëm më të mirë krahasuar me sektorin e sigurimeve.

Por sipas një hulumtimi nga EkonomiaSot, kjo pavarësi ka gjasë të mos zgjasë shumë. Sepse në vend të biznesmenëve nga diaspora që kishin inicuar këtë ide, një bankë të emërtuar “Banka e Diasporës” po mundohen ta themelojnë njerëz të afërt me AAK-në.

Në prill të vitit të kaluar, Guvernaori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, kishte pritur në takim përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare. Gjatë atij takimi, përfaqësuesit në fjalë kishin shprehur interesim që të fillonin procedurat për hapjen e një banke në Kosovë, e cila do të ishte me kapital nga diaspora.

Foto nga takimi i Guvernatorit me biznesmenet nga diaspora ne prill 2018

Pas këtij takimi, kjo punë ishte përmendur edhe disa herë nga ana e Guvernatorit, por deri më sot nuk ka pasur ndonjë gjë konkrete.

Sipas Guvernatorit Mehmeti, BQK ende nuk ka pranuar nodnjë aplikacion për hapjen e një banke të tillë.

“Ne kemi pasur një takim formal me disa aksionarë, pra bashkatdhetarë tanë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë që të investojnë në sektorin bankar në Kosovë. Për momentin, nuk kemi ndonjë aplikacion zyrtar. Aq sa jemi në dijeni ata janë duke punuar në përgatitjen e dokumentacionit dhe dokumenteve të kërkuara që të aplikojnë”, ka thënë Mehmeti.

Mirëpo nga një hulumtim i EkonomiaSot del se përgatitjet tashmë janë bërë, por jo nga ata që fillimisht kishin shtruar idenë e një banke të diasporës. Të paktën ky lloj përfundimi mund të nxirret nga ajo që shihet në ARBK.

Më 28 shtator të vitit të kaluar, në ARBK është regjistruar një kompani e llojit Shoqëri Aksionare, me aksionarë kryesorë Zenun Krasniqi, Valon Tolaj, dhe “Equity Management Partners”. Kurse si person të autorizuar ka biznesmenin Armend Osaj.

Valon Tolaj, i cili aktualisht mban postin e Kryeshefit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, dikur kishte mbajtur postin e Sekretarit Ekzekutiv në AAK.

Në lidhje me këtë temë, EkonomiaSot ka tentuar të marrë një përgjigje nga ana e Tolajt, por pa sukses.

Në anën tjetër, të kontaktuar nga EkonomiaSot, përfaqësuesit e bizneseve të diasporës thonë se nuk janë në dijeni të hapjes së kësaj banke. Të ngutshme dhe pa përgaditje, e ka quajtur këtë iniciativë Kryetari i Bizneseve të Diasporës, Ylli Blakaj. Ai tha se bizneset të cilat i përfaqëson nuk janë në dijeni për këtë çështje.

Blakaj tha se lidhur me këtë ka folur edhe me sekretarin e bizneseve për Evropë, Nazmi Viçën, por sipas tij, as ky i fundit nuk ishte në dijeni lidhur me këtë proces.

“Ne nuk jemi ne dijeni të kësaj iniciative, mendoj se është e ngutshme, bizneset që unë përfaqësoj nuk janë në dijeni të kësaj iniciative, unë kam folur edhe me sekretarin e bizneseve për Evropë Nazmi Viçën, as ai nuk di asgjë”, ka thënë Blakaj përmes telefonit.

Se a do të realizohet plani për kontrabandimin e bankës së AAK-së si bankë e diasporës tani që kjo parti nuk është më në pushtet, mbetet të shihet. Por një gjë është e sigurt, se bizneset e diasporës nuk kanë aspak të bëjnë me këtë bankë. /EkonomiaSot

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0