Hoxhaj: Platforma për dialogun mund të mbetet letër pa vlerë, nëse s’pezullohet taksa

Hoxhaj: Platforma për dialogun mund të mbetet letër pa vlerë, nëse s’pezullohet taksa

Nesër do të mbahet seanca e jashtëzakonshme ku pritet të bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Kosovës në dialogun Serbinë dhe i Platformës për dialogun.

Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministër dhe anëtar i Delegacionit Shtetëror për dialogun me Serbinë, ka thënë se Platforma për Dialogun duhet të miratohet.

“Ne kemi punuar që disa javë dhe besoj që nesër Kuvendi e miraton këtë platformë. Është një tekst i qartë dhe i ndërtuar mbi 11 parime që adreson qëllimet strategjike të Kosovës në dialogu ashtu si edhe pritjet që ka Kosova në dialogun me Serbinë”, ka thënë ai në Klan Kosova.

“Nesër besoj që pas një debati të hapur, ku mund të marrim sugjerime, miratohet Platforma për Dialogun dhe Kosova t’i kthehet tavolinës së dialogut”.

“Kemi pasë 2-3 versione, debati është shterrur. Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli e kanë parë tekstin dhe ne që jemi në delegacion kemi dhënë maksimumin”.

“Mendoj që është dokumenti më i mirë që të krijojmë unitet dhe qëllime politike”.

Hoxhaj ka thënë se partitë opozitare, LDK-ja dhe Vetëvendosja, nuk kanë më asnjë arsye që ta kundërshtojnë këtë dokument për bisedimet me Serbinë.

“Çfarëdo që Vetëvendosja dhe LDK-ja kanë thënë publikisht, janë të përmbledhura në Platformën për Dialogun – njohja e ndërsjellë, anëtarësimi në OKB, rruga drejt integrimit në BE dhe NATO, moshapja e Pakos së Ahtisaarit, ruajtja e tërësisë territoriale, llogaridhënie të brendshme, konsensus politik”.

“Kjo Platformë për Dialogun ofron parime mbi të cilat mund të krijohet unitet dhe veprim i përbashkët politik”.

“Nëse dikush ka problem me ndonjë fjali mund ta rishikojmë”.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka thënë se opozita duhet ta mbështesë këtë Platformë për Dialog, madje sipas tij, nëse LDK-ja dhe Vetëvendosja do t’i bashkëngjiten Ekipit Shtetëror për Dialog do të tregonin pjekuri politike.

“Ne kemi pasë rezolutë ku kemi ftuar opozitën ta miratojë, kemi sjellë Ligj për Delegacionin Shtetëror meqë opozita ka kërkuar unitet por as ky ligj nuk u votua”.

“Ky është hapi i tretë. Unë mendoj që politikisht nuk ka asnjë arsye, si përmbajtje, askush mos ta votojë Platformë dhe mos të jetë pjesë e dialogut sepse dialogu nuk ka të bëjë vetëm me mandatin e kësaj Qeverie”.

“Jemi të interesuar që të ketë konsensus më të gjerë politik. Nëse do të ishin krejt partitë politike do të ishte situatë ideale, nëse do të vinte dikush prej opozitës do të ishte qasje më e pjekur politike”.

“Nëse amerikanët dhe evropianët janë të vendosur që ky proces të përmbyllet, ne jemi në këtë debatin e brendshëm mendoj se mund të jetë betejë për pushtet”.

“Platforma është dokument jashtëzakonisht i mirë dhe është dokument që kemi punuar shumë gjatë me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë”.

“Nëse ka ide, ne jemi të gatshëm që t’i marrim në konsideratë, qoftë pozitë ose opozitë”.

Por sipas Hoxhajt, kjo Platformë për Dialogun edhe nëse miratohet, nuk do të ketë asnjë vlerë dhe nuk do të gjejë zbatim, nëse nuk pezullohet taksa.

“Platforma për Dialogun mund të mbetet letër pa vlerë nëse nuk pezullojmë taksën. Nëse miratohet Platforma për Dialogun, shtrohet pyetja kur mund të takohet delegacioni Kosovë-Serbi tema është e konsumuar deri tash, nuk ka takime pa e pezulluar taksën”.

“Unë mendoj se Platforma për Dialogun nuk ka peshë praktike nëse ne si Qeveri nuk marrim një vendim që duhet të jetë i qartë që të zotohemi për pezullimin e taksës, të përfitojmë prej mbështetjes amerikane dhe evropiane, ta përdorin dialogun për marrëveshje historike”.

“Ne mund dhe duhet të miratojmë Platformën për Dialogun, kemi themeluar Ekipin Negociator po procesi nuk mund të vazhdojë pa u pezulluar taksa”.

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0