Hoxhaj përkrah Kurtin për reciprocitetin

Hoxhaj përkrah Kurtin për reciprocitetin

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se e përkrah vendimin e Qeverisë së Kosovës për të implementuar reciprocitetin për targat për veturat nga Serbia. Ai ka thënë se një vendim i tillë duhet t’i bashkojë pushtet e opozitë.

Me këtë rast, Hoxhaj ka thënë se kryeministri aktual Albin Kurti po i zbaton marrëveshjet e dialogut me Serbinë, “por që në të kaluarën ka mohuar rezultatet”.

“Mirëpres vullnetin e Qeverisë së Kosovës për të implementuar marrëveshjet që ka prodhuar dialogu Kosovë-Serbi. Vendime të tilla duhet t’i shërbejnë përmbylljes së shtetësisë së Kosovës, jo hapjes së fushatës zgjedhore. Kryeministri Kurti që në të kaluarën ka mohuar rezultatet e dialogut, sot po zbaton marrëveshjet dhe afirmon ato! Më mirë vonë se kurrë!” ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

“Por ne që ishim në qeveri dhe që tash jemi në opozitë, s’duhet të jemi vonë karshi interesit shtetëror. Është e shëndetshme për demokracinë e brendshme në Kosovë të kemi dallime politike, por jo edhe përballë agresionit të Serbisë dhe kur jemi në të drejtën tonë si shtet! Në këto momente, të gjithë jemi me mendje dhe zemër me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët në dekadën e fundit kanë dëshmuar se janë gardianët më të mëdhenj të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”, ka thënë ai më tej duke shtuar se ky reciprocitet duhet të jetë në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë.

“Vendime të tilla strategjike kërkojnë veprim politik e krijim të fakteve brenda Kosovës, koordinim të jashtëm me partnerët strategjikë të Kosovës, por edhe betejë diplomatike me kundërshtarët e shtetit tonë! Vetëm kështu përmbushen qëllimet dhe mënjanohen pasojat që mund të prodhojë gjendja në veri të vendit!” ka përfunduar Hoxhaj.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0