Hoxhaj akuzon Hotin për shkeljen e Deklaratës së Pavarësisë

Hoxhaj akuzon Hotin për shkeljen e Deklaratës së Pavarësisë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Qeveria Hoti ka vendosur një standard të ri duke e shkelur për dy javë Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës me heqjen dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.

“Tarifa është vënë si kundërmasë ndaj Serbisë, ju e keni hequr taksën, reciprocitetin dhe keni hequr dorë nga kandidatura, aplikimi në organizata ndërkombëtare. Pra, i keni bërë tri lëshime për njëlloj zotimi të rrejshëm të Serbisë. Cili është dëmi më i madh i këtij zotimi. Kolegët e VV-së vërtet e kanë vendosur standard të ri sepse për 50 ditë e kanë shkelur dy herë Kushtetutën, por kjo Qeveri ka vendosur një standard të ri se për dy javë e shkeli Deklaratën e Pavarësisë. Citoj pikën e tetë se çfarë thotë: Me pavarësinë vie detyra e anëtarësisë së përgjegjshme në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e pranojmë plotësisht këtë detyrë. Me fjalë të tjera, me zotimin që ka bërë Qeveria ju keni hequr dorë prej këtij paragrafi të Deklaratës së Pavarësisë. Kjo është një temë më serioze përtej debatit se kush është në opozitë dhe në Qeveri”, ka thënë Hoxhaj gjatë seancës së sotme parlamentare.

Sipas tij amerikanët do të kishin konsideratë nëse do iu tregohej ky fakt.

“Nëse ju do t’iu thoshit partnerëve amerikanë e kemi të shkruar në deklaratën e Pavarësisë ma merr mendja që nuk do të kërkonin prej juve që me e pas një zotim të tillë. Nëse ju do t’i thoshit partnerëve amerikanë se është edhe në Pakon e Ahtisarit, ma merr mendje se do të kishin konsideratë. Nëse kishit larguar reciprocitetin vetëm për shkak të tërheqjes së njohjeve kish qenë njëfarë bilanci, por keni bërë tri lëshime”, ka thënë ai.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0