Hetimet e Prokurorisë kanë bllokuar kontratën mes Telekomit dhe “Advantech-it”

Hetimet e Prokurorisë kanë bllokuar kontratën mes Telekomit dhe “Advantech-it”

Bordi i ri i Telekomit të Kosovës është duke shqyrtuar kontratat që kanë firmosur menaxhmentet e kaluara me kompani të ndryshme për shërbime. Njëra nga to – kontrata mes Telekomit dhe kompanisë “AdvanTech”, sipas menaxhmentit të Telekomit, nuk ka filluar ende të zbatohet, meqë janë duke pritur vendimin e Prokurorisë, e cila për disa muaj është duke e hetuar atë.

Disa e-maile dhe takime janë shkëmbyer në mes të përfaqësuesve të kompanisë “AdvanTech” dhe Telekomit të Kosovës për kontratën për shërbime të internetit dhe IPTV-së. Por, për zbatimin e kësaj kontrate që i jep 60 për qind të të hyrave kompanisë private, sipas drejtuesve të Telekomit, nuk është bërë asnjë hap. Kjo, pasi, siç kanë thënë në Telekom, ende janë në pritje të një vendimi nga Prokuroria e shtetit, e cila po e heton këtë kontratë tash e disa muaj.Menduh Abazi, drejtor për marrëdhënie me publikun në Telekom, ka thënë se ka pasur interesim nga kompania të dijë se çfarë po ndodh me kontratën.

“Ka pasur shkëmbime të e-mailit, pasi kompania ka kërkuar sqarime rreth implementimit të kontratës dhe kjo çështje është diskutuar edhe në mbledhjen e Bordit, është edhe vendim i menaxhmentit derisa të sqarohet kjo çështje. A është e nevojshme që të ketë oferta më shumë në këtë pikë, absolutisht po”, ka theksuar Abazi.

KOHA ka raportuar për fillimin e hetimeve për kontratën me “AdvanTech”.

Hetimet kanë filluar bazuar në kallëzimin penal që ka bërë menaxhmenti i kaluar i Telekomit. Ky menaxhment ka ngritur dyshimet për disa pika të kontratës, të cilat i ka konsideruar si të dëmshme për ndërmarrjen. Në mesin e tyre është edhe ndarja e fitimit prej 60 për qind për kompaninë private, ndërsa 40 për qind për Telekomin.

Një pikë tjetër e kontratës për të cilën kanë shprehur dyshime është se nëse “AdvanTech” siguron një klient të ri në zona më të largëta që nuk ka shtrirje të rrjetit, atëherë Telekomi është i obliguar që të shtrijë rrjetin deri tek klienti, e ajo do të merret vetëm me pajisjen. Për këtë klient sërish kompania merr 60 për qind. Edhe për klientët ekzistues nëse dëshirojnë të ndryshojnë pajisjen apo ndonjë ndryshim, kompania sërish do të marrë 60 për qind.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0