Hekuran Murati i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje

Hekuran Murati i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje

Eksperti i FInancave, Hekuran Murati zyrtarisht është bërë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i kësaj partie Albin Kurti bëri të ditur lajmin duke thënë se i janë gëzuar shumë aderimit të Muratit.

“Dija e tij do të jetë e domosdoshme për të hartuar një program konkret për një fitore të domosdoshme. Për një fitore që po e presin të gjithë qytetarët. E, Hekurani erdhi në momentin e duhur e më të nevojshëm për vendin tonë”, ka shkruar Kurti në prezantimin e Muratit.

Kurti tutje ka treguar se Murati e ka mbaruar fakultetin më 2007 për Menaxhimin e Biznesit në Universitetin Amerikan në Kosovë. Menjëherë ka vazhduar studimet master për Menaxhimin e Investimeve në Hochschule Bremen & University of North Carolina Wilmington.

“Në Ministrinë e Financave ishte shef i divizionit të borxhit publik, pastaj konsulent në Bankën Botërore, ka punuar edhe në Bankën Qendrore të Kosovës, e shumë, e shumë vende të tjera. Është shumë i ri, por shumë i ditur. Këtë e tregon puna e madhe, përvoja e gjerë dhe performanca cilësore që e ka bërë. Këtë e dëshmon edhe aktivizmi i tij ndaj tri çështjeve të mëdha: Marrëveshja e dëmshme me Contour Global, skadimi i kontratës korruptive mes Telekomit dhe Z-Mobile, si dhe monopolin zhvatës në homologimin e veturave. Ka shkruar shumë për shumë tema në përgjithësi, e për këto të trija në veçanti. Në shumë debate është përplasur me eksponentët e pushtetit duke e mbrojtur të mirën e përgjithshme”, ka shkruar Kurti në Facebook.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0