Haradinaj: Vetëm kjo Qeveri ka reflektuar për pagat në sektorin privat

Haradinaj: Vetëm kjo Qeveri ka reflektuar për pagat në sektorin privat

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë që asnjë qeveri që nga viti 2011 nuk i ka rritur pagat në sektorin privat.

“Qeveria që udhëheqi nuk është e përkryer, ka vonesa ka ngecje, kam gjetur plot tema ndër to edhe kërkesa të vazhdueshme për rritje page dhe përkundër faktit se vendimet kanë qenë të kritikuara sot kemi ardh deri te një moment i vlefshëm”, tha Haradinaj.

Tutje ai ka shtuar se gjatë qeverisjes së tij janë rritur për herë të parë pagat në sektorin publik.

“Për herë të parë pagat janë rritur në sektorin publik dhe ky është një ligj që i atribuohet vetëm kësaj Qeverie edhe pse nuk është ligj i përkryer megjithatë e ka vendosur një rregull për Qeveritë tjera”, shtoi ai.

Haradinaj ka theksuar se për herë të parë po “reflektohet” për çështjen e pagave sa i përket sektorit privat.

“Është e pashpjegueshme me thënë se rritja e pagave të Qeverisë apo të sektorit publik e ka shkaktuar këtë gjë. Ka ardhur koha pas 8 viteve që ta diskutojmë edhe këtë.

“Nga vitit 2011 kjo temë nuk është prekur dhe sot Parlamenti  ka mundësi të insistojë në marrjen e një vendimi në përputhje me atë që ka ndodhur”.

“Paga në sektorin publik është rritur në vazhdimësi, por nuk është rritur paga në asnjë qeveri në sektorin privat. Hera e parë që po mundemi të kthehemi dhe të reflektojmë se çfarë ka ndodhur në sektorin privat”.

Sipas Haradinajt, përveç rritjes së pagave në sektorin privat si prioritet duhet të jenë edhe kushtet e punës së punëtorëve.

“Zbatimi i ligjit të punës, të drejtave të punëtorëve edhe kushtet e punës duhet të rriten sepse janë bërë 20 vjet  dhe duhet të shkojmë drejt një normaliteti”.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0