Hakmarrje në polici: Degradohet policja që kishte njoftuar avokatin për rastin e përdhunimit në Drenas

Hakmarrje në polici: Degradohet policja që kishte njoftuar avokatin për rastin e përdhunimit në Drenas

Policia e Kosovës pritet ta transferojë dhe degradojë një zyrtare policore nga Drenasi, e cila po dyshohet se ka nxjerrë informata për dhunimin e nxënëses, nga hetuesi Vesel Veseli, ka mësuar Insajderi.

Muaj më parë, ngjashëm ishte degraduar edhe polici që kishte hetuar rastin e korrupsionit të zv. Ministrit nga radhët e AAK-së, Musa Cenaj.

Zyrtarja policore (emri i së cilës është i njohur për redaksinë), për shumë vjet kishte denoncuar shkeljet e kolegëve të saj në stacionin policor të Drenasit. Vendimi për transferimin e saj pritet të merret gjatë ditës së sotme.

Burime nga Policia i kanë thënë Insajderit se eprorët e saj po dyshojnë se ajo i ka dhënë informacione avokatit, Gazmend Halilaj rreth këtij rasti.

Halilaj, kishte dërguar letër anonime në Prokurori dhe Insajder rreth dhunimit të nxënëses nga profesori i saj dhe hetuesi, Vesel Veseli.

Siç raportoi Insajderi të martën, 16-vjeçarja nga Drenasi, kishte shkuar në polici për të denoncuar profesorin e saj. Por, në vend të gjetjes së ndihmës, ajo ka gjetur një “padron” skllavërues policor.

Pas marrjes së deklaratës, fotografimit të zhveshur të viktimës dhe ekspertizës mjekoligjore, hetuesi V.V., nën kërcënim dhe shantazh e kishte detyruar të bënte seks me të. Pas shfrytëzimit seksual për më shumë se një vjet, vajza kishte mbetur shtatëzënë.

Hetuesi, e kishte detyruar vajzën ta abortonte në klinikën e gjinekologut Fehmi Ahmeti në Prishtinë.

Historia e dhunës ka marrë fund të martën kur hetuesi është arrestuar.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0