Greqia kryeson për stokun e investimeve, në vend të dytë kalon Zvicra; Sektorët më tërheqës në vite

Greqia kryeson për stokun e investimeve, në vend të dytë kalon Zvicra; Sektorët më tërheqës në vite

Ndonëse prej disa vitesh është në krizë, shteti fqinjë helen vijon të jetë investitori historik më i madh në Shqipëri. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë për stokun e Investimeve të Huaja Direkte, në vend të parë është Greqia, me kompanitë e së cilës kanë investuar në Shqipëri, kryesisht në telekomunikacione dhe banka. Stoku i investimeve greke në Shqipëri në fund të vitit 2017 ishte 1.27 miliardë euro, ose gati 20% e totalit që janë investuar në Shqipëri nga të huajt pas viteve ’90 (në total stoku i investimeve të huaja është 6.54 miliardë euro).

Dy operatorët më të mëdhenj të telefonisë celulare, Vodafone dhe Telekom Albania janë me kapital grek. Bankat kanë qenë një tjetër sektor i preferuar, por që tashmë po tërhiqen gradualisht nga Shqipëria. Deri në vitin 2009, pesha e bankave me kapital grek në totalin e aktiveve të sistemit ishte rreth 24%, sipas të dhënave zyrtare, ndërsa sot ka zbritur në rreth 14%, teksa pas krizës greke të borxheve, ato filluan tërheqjen dhe reduktimin e aktivitetit. Credit Agricole ishte e para që u largua nga Shqipëria disa vjet më parë, ndërsa së fundmi u shit dhe banka Kombëtare e Greqisë tek Banka Amerikane e Investimeve. Në shitje është edhe Tirana Bank dhe e vetmja që reziston është Banka Alpha.

Në fakt, në vitin 2017, stoku i investimeve greke në Shqipëri shënoi një rritje minimale prej 3.7%.

Në vend të dytë, për herë të parë në 2017-n, ka kaluar Zvicra, me një stok investimesh prej 888 milionë eurosh, pothuajse dyfishim në krahasim me një vit më parë. Më shumë sesa interes i kompanive zvicerane, kjo rritje është meritë e gazsjellësit TAP, që është i regjistruar si seli qendrore në këtë shtet, por që në fakt përbëhet nga një konglomerat kompanish nga shumë vende të Europës.

Si investitor i tretë ka kaluar Kanadaja (prej shumë vitesh i dyti), me 883 milionë euro. Efektin e ka dhënë Bankers Petroleum, e cila ndonëse tashmë është shitur te kinezët e Geo Gade, konsiderohet me kapital kanadez.
Në vend të katërt është Holanda, me 846 milionë euro, përmes kompanisë, që po ndërton hidrocentralet mbi lumin e Devollit. Ndonëse tashmë, HEC i Devollit po ndërtohet nga norvegjezët e Statkraft, Banka e Shqipërisë e pohon se investitori direkt i Statkraft është holandez.

Italia, ndonëse është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe ka numrin më të madh të bizneseve të huaja renditet e pesta për nga stoku i investimeve, me 652 milionë euro. Nga Italia kanë munguar investimet e mëdha në vite dhe sipërmarrjet që kanë hyrë janë përgjithësisht të vogla. Ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo, në një intervistë të mëparshme për “Monitor”, ka pohuar se arsyet lidhen me përvojat e kaluara jo të mira, për shkak të fenomeneve të korrupsionit, problemeve në lidhje me pronësinë e tokës dhe perceptimit të gjerë të një sistemi joefikas gjyqësor dhe jo garantues për sigurinë juridike dhe marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet palëve.
Pas Italisë renditen Turqia, Austria, Franca. Franca ka shënuar rritje të lartë, por që lidhet me kompaninë Spiecapag, që është nënkontraktor i TAP.

Përsa i përket fluksit të ri të investimeve në 2017-n, investitori më i madh ishte Zvicra për të dytin vit radhazi, me 330 milionë euro. Ky shtet ka shënuar dhe rënien më të lartë me 24% (-103 milionë euro), duke ndikuar në tkurrjen totale të fluksit të investimeve të huaja në vend, që u reduktuan me 3.7% në 2017-n.

Sektorët më tërheqës për investime në vite

Për herë të parë në vitin 2017, stoku i investimeve në sektorin e Energjia elektrike, gazi, avulli ka kaluar në vend të parë, me 1.5 miliardë euro, duke ia kaluar “Informacioni dhe komunikacioni”, që historikisht ka qenë sektori që ka tërhequr më shumë investime në Shqipëri dhe ka një stok prej gati 1.2 miliardë eurosh.
Ndryshimi lidhet me investimet e mëdha për gazsjellësin TAP dy vitet e fundit, ndërkohë që kompanitë e telekomunikacioneve janë në fazë maturimi dhe nuk e kanë rritur stokun e investimeve së fundmi.

Në vend të tretë janë aktivitetet financiare dhe të sigurimeve, si rrjedhojë e investimeve të bankave me kapital perëndimor që kanë hyrë që pas vitit 2000 në Shqipëri. Bankat kanë investuar në Shqipëri gati 1 miliard euro, që pas viteve 1990. Por, një pjesë e tyre tashmë është sërish drejt tërheqjes.
Më pas renditen Industria nxjerrëse, me një stok prej 875 milionë eurosh, e ndjekur nga industria përpunuese me 624 milionë euro. Monitor.al

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0