Emërohet drejtori i AKI-së

Emërohet drejtori i AKI-së

Njoftimi i plotë:

Petrit Ajeti emërohet Drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kanë emëruar Petrit Ajetin Drejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Ky emërim është bërë në përputhje me kompetencat kushtetuese të Presidentes dhe Kryeministrit të Kosovës.

Petrit Ajeti ka lindur në Gjilan, më 11 tetor 1981. Shkollën fillore dhe të mesme gjimnazin matematiko-natyror i ka mbaruar në Gjilan. Në vitin 2001 ka vazhduar studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. Gjithashtu, ka kryer studimet në nivelin Baçelor në Shkencat Politike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Z. Ajeti ishte bursist i programit të bursave pasuniversitare të BE-së “Young Cell Scheme”, përmes të cilit mbaroi studimet e nivelit Master në fushën e Arteve në Përgjegjësinë Sociale të Korporatave në Universitetin Metropolitan të Londrës në Mbretërinë e Bashkuar.

Z. Ajeti ka ndjekur disa programe ndërkombëtare në kuadër të zhvillimit profesional në fushën e Sigurisë. Në vitin 2016 ka ndjekur “Programin për Studimet e Aplikuara të Sigurisë”, në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë “George C. Marshall” në Gjermani, pastaj programin certifikues për Menaxhim të Mbrojtjes si dhe për Marrëdhëniet Civile – Ushtarake dhe Buxhetim të Mbrojtjes në “Naval Postgraduate School” në SHBA, programin certifikues “Menaxhimi i Bashkëpunimit të Sigurisë” në Institutin e Mbrojtjes për Studime të Bashkëpunimit të Sigurisë në SHBA, si dhe programin PRINCE 2 për Menaxhim të Projekteve. Ai gjithashtu është i certifikuar në Menaxhim dhe Operim të Emergjencave nga Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së.

Paralelisht me edukimin Z. Ajeti gjithashtu ka qenë aktiv në fushën e sigurisë. Mbi 15 vjet përvojë pune në institucionet publike dhe private në fushën e sigurisë. Nga viti 2013 ka punuar në kapacitete të ndryshme në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës si Zyrtar për koordinim të investimeve të huaja të mbrojtjes dhe ushtrues detyre i shefit të sektorit për integrim euro-atlantik si dhe së fundi Shef i Kabinetit të Sekretarit të Përgjithshëm. Çështjet kryesore ku ai është angazhuar përfshijnë Planifikimin, Programimin, Buxhetimin, dhe Ekzekutimi në fushën e mbrojtjes. Gjithashtu z. Ajeti ka qenë anëtar i grupit punues ndërinstitucionale për hartimin e Strategjisë së parë të Mbrojtjes. Nga viti 2007 deri në vitin 2010 z. Ajeti ka punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme në cilësinë e zyrtarit të lartë në Departamentin për Hartimin e Politikave të Sigurisë së Brendshme si dhe në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migracion. Ai gjithashtu ka përvojë ndërkombëtare në fushën e sigurisë si kontraktor civil për ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në bazat ushtarake në Afganistan dhe Kosovë.

Angazhimi në këto detyra  z. Ajeti i ka ofruar një këndvështrim të shkëlqyeshëm të çështjeve që duhet trajtuar nga institucionet e sigurisë, përfshirë kërcënimet ekzistenciale.

Petrit Ajeti ka përvojë edhe në fusha tjera si: Asistent i angazhuar në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan (viti akademik 2015-2016), si dhe Menaxher i Projektit të Financuar nga Komisioni Evropian për Themelimin e Qendrës Rajonale të Marketingut për Rajonin Ekonomik Lindor.

Z. Ajeti flet rrjedhshëm gjuhën angleze. Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë. Z. Ajeti është vëlla i dëshmorit Alban Ajeti.  

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0