Deputetët e LVV-së tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit

Deputetët e LVV-së tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje do të heqin dorë nga kompenzimi i shpenzimeve të udhëtimit.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se edhe deputetët e tjerë duhet ta bëjnë një gjë të tillë.

“Me anë të këtij njoftimi duam të informojmë opinion publik, se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, si shumicë parlamentare, vullnetarisht do të tërhiqen nga kompenzimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe njëkohësisht thërrasin edhe deputetët tjerë të aplikojnë të njejtin standard. Gjithashtu, do të kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit, rishikimin e vendimit për kompenzimin e deputetëve”, ka shkruar ajo.

Pas publikimit të shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Kusari-Lila ka thënë se vendimi mbi kompenzimit daton nga 10 Tetori 2011 dhe është i nënshkruar nga Kryetari i atëhershëm i Kuvendit Jakup Krasniqi.

“Me anë të këtij vendimi, në mesin e tjerave, parashihet kompensimi për shpenzime të udhëtimit për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe në komisionet e caktuara me vlerat si vijon: deri në 30 km – 10 euro. deri në 60 km – 20 euro dhe mbi 60 km – 30 euro”.

Më tej shtoi se zbatimi i këtij vendimi nuk bëhet me fatura të derivateve, por si pjesë e pagës mujore e cila llogaritet automatikisht me pagën mujore. “Deputetët me rastin e regjistrimit të tyre për mandate në fillim të secilës legjislaturë, plotësojnë formularët për vendbanimin e tyre”.

Dhe me rastin e regjistrimit të deputetëve dhe fillimin e punimeve të Kuvendit, automatikisht fillon llogaritja e pjesëmarrjes së tyre në seanca dhe komisione funksionale, e me to edhe kompensimi për udhëtime.

Aktualisht në legjislaturën e VIII të Kuvendit, janë 67 deputetë të cilët kanë të regjistruar vendbanimin jashtë Prishtinës dhe prej tyre 36 janë nga Lëvizja Vetëvendosje, theksoi Kusari-Lila.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0