Delegacioni i Kosovës arrin në Bosnjë, diskutohet edhe për taksën

Delegacioni i Kosovës arrin në Bosnjë, diskutohet edhe për taksën

Delegacioni i Qeverisë së Kosovës ka arritur në Bosnjë e Hercegovinë ku do të marrin pjesë në kuadër të takimit të parë zyrtar bilateral të CEFTA-s, në diskutimet me zyrtarët e Qeverisë së Bosnjës për taksën 100 për qind, që ka vendosur Kosova për produktet boshnjake.

Kosovën në Bonjë e Hercegovinë janë duke e përfaqësuar, Durim Limaj, Shefi i Kabinetit i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala si dhe Sytrime Dervisholli, drejtoreshë në Departamentin e Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Durim Limaj e ka konfirmuar për Telegrafin arritjen e delegacionit të Kosovës në Bosnjë e Hercegovinë. “Kemi arritur në Bosnjë e Hercegovinë, jemi dy vetë që e përfaqësojmë Kosovën në këtë takim. Ardhja jonë në Bonjë është bërë nëpërmjet Malit të Zi, probleme nuk kemi pasur dhe jemi në përcjellje të vazhdueshme nga Policia, takimi fillon nga ora 10:00”, tha Limaj.

Në agjendë është paraparë të diskutohet edhe për vendimin rreth vendosjes së tarifës dhe ndalimeve të importeve që Kosova ka vendosur për produktet që vijnë nga Bosnja e Hercegovina.

Diskutimet sipas agjendës së takimeve të CEFTA-s në Bosnjë e Hercegovinë do të zgjasin deri në orën 17:00.

Ndryshe ky takim është kërkuar nga zyrtarët e Qeverisë së Bosnjës, për konsultime me Kosovën lidhur me taksën prej 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave që importohen nga Bosnja dhe Hercegovina më 21 nëntor të vitit 2018.

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0