Daka: Presidentja më kërkoi të dorëhiqem, do të më falënderonte

Daka: Presidentja më kërkoi të dorëhiqem, do të më falënderonte

Kryetarja e shkarkuar e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka thënë se vendimi për shkarkimin e saj nga kjo pozitë ishte i porositur.

Ajo tha se presidentja Vjosa Osmani dje e ka përmbushur kërcënimin e saj për shkarkim të saj nga pozita e kryetares së KQZ-së.

Madje Daka konfirmoi se në takimin e fundit që e ka zhvilluar me presidenten Vjosa Osmani, asaj i është kërkuar dorëheqja. Ajo në një konferencë për media deklaroi se Osmani i ka kërkuar që të ofrojë dorëheqjen në mënyrë të vullnetshme dhe në këmbim ajo do të pranonte falënderime publike për punën e deritanishme si Kryetare e KQZ-së.

“Tashmë të gjithë e dini se dje me vendimin e saj, Presidentja e Kosovës, ka përmbushur kërcënimin dhe premtimin e dhënë gjatë fushatës së fundit zgjedhore për shkarkimin tim.  Dua t’iu bëj të ditur qysh në fillim se ky është një vendim jo kushtetues dhe i pa mbështetur në ligj.  Këtë e them duke u mbështetur në faktet se arsyetimi i dhënë në shkarkimin tim, jo vetëm që është i paligjshëm, kontradiktor me vetëveten, por edhe qesharak.  Të akuzohem për mospunë dhe për vendimet kolegjiale të cilat janë marrë nga të gjithë anëtarët e KQZ-së dhe të ndëshkohem vetëm pse kam aplikuar Kushtetutën dhe Ligjin është absurditet i llojit të vet dhe sipas të gjitha gjasave vendim i porositur”, ka thënë Daka.

Daka deklaroi se emërimi i menjëhershëm i kryetarit të ri, ka dëshmuar se vendimi për shkatërrimin e saj ishte i përgatitur më herët.

“Ky vendim i Presidentes, i bërë publik pasditen e së hënës, shihet qartë se ishte përgatitur më herët. Këtë e dëshmon edhe fakti për emërimin brenda pak minutave të kryetarit të ri të KQZ-së. Publikimit të këtij vendimi i ka paraprirë edhe një takim në të cilin isha e ftuar nga Presidentja e Kosovës. Në këtë takim, ajo ka kërkuar që unë të ofrojë dorëheqjen në mënyrë të vullnetshme dhe në këmbim do të pranoja falënderime publike për punën e deritanishme si Kryetare e KQZ-së, si dhe më premtoi vazhdim të bashkëpunimit në të ardhmen. Natyrisht se kjo ishte një gjuhë dhe sjellje e papranueshme për mua nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës. Asaj i kam thënë se kam përmbushur detyrën time me integritet të lartë profesional dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi”, deklaroi më tutje ajo.

Ish-kryetarja e KQZ-së, foli edhe për përplasjet e saj dhe presidentes Osmani. Sipas saj çdo gjë filloi kur ajo dhe disa anëtarë të KQZ-së e kanë kundërshtuar certifikimin e kandidatëve që janë të dënuar në tri ditët e fundit.

“Kërcënimet publike të Presidentes Osmani kanë nisur që nga janari i vitit 2021, në kohën kur unë si Kryetare dhe shumica e anëtarëve të KQZ-së, edhe përkundër presionit të madh, ishim në mbrojtje të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar kandidimin për deputetë të personave të shpallur fajtor për vepër penale, në tri vitet e fundit, me vendim përfundimtar të gjykatës. Vetëm një ditë pas vendimit të KQZ-së për moscertifikim të këtyre personave, më 23 janar, UD e Presidentes së Kosovës, përmes një video-mesazhi kishte kërcënuar publikisht me shkarkim anëtarët e KQZ-së. Ndonëse do të duhej të ishte në krye të detyrës për mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe të inkurajonte KQZ-në për të zbatuar Kushtetutën dhe Ligjin, ajo po i kërkonte KQZ-së të mos respektonte Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. ”, deklaroi më tutje ajo.

Ndër të tjera, Daka tha se Osmani në arsyetimin për shkarkim ka përfshirë edhe akuzat e pabaza të disa anëtarëve të KQZ-së, duke aluduar kështu në përfaqësuesit e VV-së në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alim Rama.

“Ky presion i porositur ka vazhduar më vonë edhe nga përfaqësuesit e një subjekti të caktuar politik, të cilët kanë pamundësuar zhvillimin normal të mbledhjeve, duke shkaktuar ndërprerje dhe duke bërë akuza të pabaza, e shpeshherë duke kaluar fyerje dhe ofendime, por që Presidentja nuk mori asnjëherë mundimin për të reaguar.  Për këtë, të gjithë jemi dëshmitarë meqenëse mbledhjet janë transmetuar në media të shumta. Shumë prej këtyre akuzave të tyre të pabaza mund t’i gjeni edhe në tekstin e vendimit të Presidentes për shkarkimin tim”, tha ajo.

Lidhur me arsyetimet për shkarkim të saj, Daka tha se presidentja ka tdhënë arsye të paqëndrueshme dhe që nuk mbështeten në realitet.

“Në këtë vendim, Presidentja e Republikës ka renditur disa arsye për shkarkimin tim. Këto janë arsye të paqëndrueshme dhe nuk mbështen në realitet, i cili është krejtësisht i ndryshëm. Argumentet e dhëna nga Presidentja e Kosovës janë lehtësisht të rrëzueshme dhe nuk duhet mundim i madh për ta bërë këtë”, tha ajo.

“Së pari, Presidentja e Kosovës në vendimin e saj ka përmendur presionin tim ndaj stafit të KQZ-së në mbledhjen e mbajtur me 22 janar 2021, kur në rend dite ishte certifikimi i kandidatëve për deputetë.  Në këtë mbledhje, të cilën e ka parë e gjithë Kosova, është parë dështimi i përmbushjes së detyrave dhe obligimeve të Zyrës për Regjistrim të Partive Politike, respektivisht drejtorit të saj, i cili përkundër përgjigjeve të marra në rrugë zyrtare nga institucionet përgjegjëse, në këtë rast nga KGjK, se një numër i kandidatëve nuk përmbushë kushtet ligjore për të qenë kandidat, kishte rekomanduar certifikimin e të gjithë kandidatëve me arsyetimin se verifikimi i bërë ishte jo i plotë dhe i pasaktë. Me qëllim të saktësimit të informatës së ofruar nga KGjK-ja, takimi i KQZ-së ishte ndërprerë për të marrë një confirm zyrtar.  KGjK-ja, brenda një ore i kishte kthyer përgjigje KQZ-së se të dhënat që i janë ofruar drejtorit të Zyrës për Regjistrim të Partive Politike janë plotësisht të sakta dhe të konfirmuara. Rruga ligjore e ndjekur nga unë dhe shumica e anëtarëve të KQZ-së është konfirmuar nga dy institucionet që kanë shqyrtuar ankesat e këtyre kandidatëve, nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme”, deklaroi Daka.

“Rrjedhën e mëtejme të kësaj mbledhjeje, tashmë e dini të gjithë dhe i dini poashtu edhe ngjarjet që kanë ndodhur pas saj.  Të akuzohem vetëm unë, i bie që të gjitha vendimet e marra në KQZ janë marrë vetëm nga Valdete Daka dhe jo nga KQZ-ja si një organ kolegjial, i përbërë nga 11 anëtarë.  Sot, ne mund ta pyesim Presidenten se sipas kësaj logjike, a do të duhej të shkarkoheshin të gjithë anëtarët e KQZ-së për mosdëgjueshmëri dhe për vendimet e marra?”, tha ajo.

“Së dyti, Presidentja e Republikës ka përdorur çështjen e verifikimit të aplikuesve nga jashtë vendit si arsye për vendimin e saj. Në vendimin e Presidentes, vendimi i KQZ-së vlerësohet si mohim i të drejtës për të votuar.  Zonja Presidente, kjo është një e pavërtetë e madhe. KQZ-ja, me vendimin për verifikimin e aplikuesve nuk i ka mohuar askujt të drejtën për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe as për të votuar, sepse KQZ-ja i ka përfshirë në listën votuese edhe ata aplikues që nuk kishte arritur t’i kontaktonte përmes telefonit. Për më tepër, vendimi i KQZ-së nuk është marrë vetëm nga unë, por për të kanë votuar të gjithë anëtarët e KQZ-së.  Ky vendim ka qenë një masë shtesë për siguri të procesit zgjedhor dhe i mbështetur në vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Ky institucion, në vitin 2017 gjatë shqyrtimit të një rasti që kishte të bënte me raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Istogut, kishte kontaktuar 60 aplikues, 56 prej të cilëve nuk ishin lajmëruar, por vetëm sekretaria e operatorit se numri është i paqasshëm, ndërsa në emër të dy aplikuesve ishin lajmëruar dy gjerman folës. Kjo tregonte qartë për cenimin e procesit të regjistrimit të votuesve nga jashtë vendit. Edhe në rekomandimet e vëzhguesve të Bashkimit Evropian është kërkuar nga KQZ-ja të marrë masa shtesë për sigurimin e kredibilitetit të këtij procesi”, deklaroi më tutje Daka.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0